Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit që prej vitit 2017, avokati Agron Mahmutaj, nuk ka mundur ta fitojë dot betejën me koronavirusin dhe ka ndërruar jetë ditën e djeshme.
51-vjeçari Mahmutaj u prek nga koronavirusi disa javë më parë. Ai u shtrua fillimisht në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku u mbajt disa ditë në oksigjenim.
Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore ai u dërgua në Tiranë,ku qëndroi për dy javë i intubuar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’.
Ditët e fundit avokati 51-vjeçar pësoi një agravim të menjëhershëm, por ditën e djeshme gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe dje ai ndërroi jetë. Mësohet se avokati Mahmutaj kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese, ai vuante nga diabeti dhe vite më parë kishte hequr edhe njërën veshkë.
Largimi i tij nga jeta ka tronditur jo vetëm familjarët por edhe kolegët e tij avokatë, prokurorë e gjyqtarë në Berat, që e përshkruajnë atë në dedikimet e tyre të shumta ngushëlluese jo vetëm si një njeri të drejtë dhe të ndershëm por edhe si një baba dhe mik shembullor.
Avokati Agron Mahmutaj ka qenë një nga eksponentën e parë dhe pjesë e strukturave drejtuese të PD-së Berat pas viteve ’90, për vite me radhë deri në vitin 2014 ai ka qenë Drejtor i Burgut të Beratit dhe pas largimit nga kjo detyrë ju përkushtua profesionit të avokatit duke u zgjedhur në vitin 2017 Kryetar i Dhomës së Avokatëve të Beratit.