Autoritetet greke i janë përgjigjur interesimit të Prokurorisë së Posacme për drogën me sasi 137 kg kokainë që vinte nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë. Para disa javësh ka mbërritur përgjigjja e letërporosisë në lidhje me bllokimin e kokainës në portin e Pireut nbë Athinë që u zëvendësua me oriz dhe u lejua të mbërrinte deri në Durrës, thanë burime pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Kontenierët ku ishte fshehur droga u kapën në kohë të ndryshme dhe për këtë janë hapur dy cështje hetimore, por emrat e personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar nuk janë bërë publike.
Ndërkohë në letërporosi përcaktohen procedurat e ndjekura që nga 4 kontenierët e ngarkuar me banane, zëvendësimi me oriz e deri tek vendimi për të lejuar lëvizjen e ngarkesës me dorëzim të kontrolluar dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Deri tani është bërë i ditur emri i Gentian Malindi që është në kërkim dhe Altin Myslihakës e Ardian Begës që ndodhen nën arrest, të cilët u kapën pasi nxorën ngarkesën nga porti.
Gjatë operacionit ku u sekuestrua sasia e konsiderueshme e kokainës, ranë në prangat e policisë dy persona Ardian Bega, nga Skrapari,me detyrë punonjës sigurie në portin e Durrësit dhe Altin Myslihaka, mbledhës kanaçe dhe skrapi në port.
Biznesmeni Gentian Malindi, sipas policisë ishte pritësi i kokainës, po nuk u arrit që të vihej në pranga.