Manastirliu: Parashikohet 1.2 miliardë lekë në vit për trajtimin ambulator në banesë

0

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, foli në një komunikim me median rreth vendimit për rimbursimin e trajtimit ambulator në banesë.

Manastirliu theksoi se nga financimin prej 1.2 miliard lekë qytetarët do të përfitojnë nëpërmjet dy skemave sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

“Të dyja skemat e mjekimit janë pjesë e udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Mjeku i familjes e di kur trajtohen, si trajtohen, kur merret skema e parë e trajtimit, çfarë elementësh ka skema e parë apo e dytë, këtë e përcakton mjeku”, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se këto paketa mbështetëse vijnë në momentin e duhur Manastirliu shtoi:

“Paketa e rimbursimit për trajtimin ambulator në banesë të personave të testuar pozitiv me Sars-Cov-2 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov-2. Skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit”, tha Manastirliu.

Manastirliu ju bëri apel qytetarëve të lidhen me mjekët e familjes dhe të mos mjekohen me receta whatsapp-i.

Artikulli i mëparshëm‘Këshilla’ për javën që vjen: Mos dilni nga shtëpia pa çadër!
Artikulli i radhësIsh deputeti socialist Dashamir Peza dëshmitari që ruan misterin e kasetës për masakrën e Krushës (VIDEO)