Familjet në Fier, Gjirokastër dhe Tiranë shpenzojnë më shumë për udhëtime

0

Ulja e çmimeve të naftës i ka reduktuar shpenzimet e familjeve shqiptare për të udhëtuar vitin e kaluar.

Në të gjithë vendin, familjet shpenzuan mesatarisht 5,9% të totalit për udhëtime, në raport me 6.6% që ishte ky tregues në vitin 2018.

Por familjet në Qarkun e Fierit, Gjirokastrës dhe Tiranës shpenzuan për udhëtime më shumë se mesatarja e vendit.

Sipas anketës së INSTAT më 2019, në Qarkun e Fierit, njësitë familjare, 7.6% të shpenzimeve totale ua dedikuan udhëtimeve, në Gjirokastër shpenzuan 6.8% të buxhetit për shërbimet e transportit dhe për familjet e Tiranës ky tregues ishte 6.5%.

Në të kundërt, shpenzimet më të ulëta për shërbimet e transportit u vërejtën në qytetet e Elbasanit, Vlorës, Lezhës dhe Durrësit, të cilat ishin më të ulëta se mesatarja kombëtare. Në Elbasan, shpenzimet për transport të familjeve ishin vetëm 4%, në Vlorë 4.4% dhe në Lezhë 5%.

Në raport me një vit më parë, shpenzimet për transport panë ulje të ndjeshme për Qarkun e Kukësit, Gjirokastrës, Korçës e Lezhës, teksa shihet një rritje e lehtë vetëm për Qarkun e Elbasanit.

Në raport me vendet europiane, shqiptarët u dedikojnë më pak shpenzimeve për udhëtim. Sipas anketës së Eurostat, familjet në BE shpenzuan për udhëtime 13.4% të buxhetit të tyre, sa dyfishi i familjeve në Shqipëri.

Në BE, shpenzimet për transport janë ndikuar nga udhëtimet për turizëm, ndërsa në Shqipëri, shumica e familjeve udhëton për nevoja jetike, që lidhen me punën dhe nevoja të tjera jetësore.

Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të familjeve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur, pa dhe me fëmijë, përkatësisht 6,5 dhe 6,4%.

INSTAT klasifikon si shpenzime për transport, blerjet e makinave të reja dhe të përdorura, shpenzimet për taksi, bileta avionësh, të gjitha llojet e biletave, shpenzimet për naftë, gaz, pesë këmbimi, riparime, garazhde, etj.

Në vitin 2019, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, ishin 82.235 lekë. Në total, familjet shqiptare shpenzojnë për konsum 63,5 miliardë lekë në muaj me një rritje mesatare 5.6% më i lartë se në vitin 2018.

Sipas INSTAT, uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2019, e ka shënuar grupi “Transport” me 5,5%, krahasuar me vitin 2018, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 54,3%./monitor.al

Artikulli i mëparshëmBllokimi i llogarive bankare i hap rrugën abuzimeve të skajshme nga Tatimet
Artikulli i radhësStudimi i Universitetit të Oxford: Videolojërat ndihmojnë shëndetin mendor