Nga ANDREW A. MICHTA
Pekini po përfiton nga kriza e coronavirusit për të sfiduar ideologjikisht Perëndimin
Në tri dekadat që pasuan Luftën e Ftohtë, ne kemi jetuar në një botë në të cilën – kështu na thanë – historia kishte “përfunduar”. Fuzioni i tregjeve të lira dhe lirisë individuale do të pasonte si globalizëm, i ndihmuar nga revolucioni dixhital, e thuri ekonominë botërore në një tërësi edhe më të ndërvarur.
Në një botë të tillë, ideologjia nuk do të kishte më rëndësi. Tregjet do të diktonin mbi idiosinkracitë kulturore. Kina e Rusia do të demokratizoheshin. Ato do të merrnin vendin e tyre në sistemin ndërkombëtar të ndërtuar nga SHBA, duke u bërë “aksionerë të përgjegjshëm” në një botë me demokraci liberale dhe kapitalizëm të tregut të lirë.
Edhe kur Kremlini hoqi dorë ideologjikisht vetëm një dekadë pas Luftës së Ftohtë, impulset revizioniste të Moskës u lanë jashtë konsiderate. Federata Ruse shihej si fuqi në rënie, larg ditëve kur ëndërronte të bëhej Roma e Tretë.
Por tashmë vetëkënaqësia jonë është tronditur dhe tronditja vjen nga Kina komuniste. Gjatë pandemisë së koronavirusit, Pekini dërgoi sërish një mesazh të qartë se ai synon të sfidojë totalisht hegjemoninë amerikane.
Sfida ideologjike e Kinës kundër demokracisë liberale duket shumë më efektive se çfarëdo që ëndërronte të arrinte propaganda sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë. Teksa SHBA zhytet më thellë se kurrë në krizë ekonomike e politike, Pekini është vënë në linjë me Rusinë revizioniste dhe u ofron shtysa ekonomike vendeve evropiane e aziatike për të marrë në konsideratë shkëputjen nga Washingtoni.
Kjo natyrë e kësaj sfide ideologjike meriton vëmendje të veçantë. Kina i ka mjetet e duhura për t’u bërë shteti i parë totalitar high-tech në histori. Kjo do t’i lejonte jo vetëm të kontrollonte qytetarët e saj, por edhe rrjedhën e informacionit brenda dhe ndërmjet vendeve, duke shënjestruar aleatët e Washingtonit dhe vetë SHBA.
Ajo çka ofron Pekin është një vizion i pakundërshtueshëm mashtrues i botës: një treg i lirë për njerëz jo të lirë, në të cilën begatia dhe liria individuale nuk nevojitet më të jenë të ndërthurura fort.
Në të kundërt, në një kohë trazirash në SHBA, mesazhi i Pekinit është që Kina ka gjetur mënyrën për të krijuar rritje ekonomike spektakolare – rritje 900% në GDP brenda një gjenerate të vetme – në këmbim të aderimit ndaj rregullave të vendosura nga Partia Komuniste e Kinës.
Në botën e re dixhitale transnacionale, vazhdon mesazhi, janë begatia dhe rendi, jo liria, ato që duhen çmuar mbi gjithçka tjetër.
Ky mesazh mbështetet nga miliarda dollarë që Pekini akumuloi teksa Amerika në mënyrë të gabuar transferoi bazën e saj industriale dhe i lejoi Kinës akses të pakufizuar në shoqërinë e saj. Edhe kur Kina vazhdonte to kufizonte aksesin për të huajt, SHBA lejonte operativët e Pekinit të hynin lirshëm aty ku asnjë regjim komunist nuk kishte arritur më parë: në bordet drejtues, akademitë e qendrat kërkimore shkencore, media dhe komunitetin e politikës.
Sfida për Washingtonin është që ka qenë i paaftë të përcjellë një mesazh të qartë nga ai lloj që i dha epërsinë kritike kundër sovjetikëve, që liria është baras me begatinë.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Perëndimi nuk përfaqësonte thjesht një komplet vlerash liberale; ishte edhe pikërisht për shkak të lirive që Perëndimorët ishin në gjendje të lulëzonin ekonomikisht. Me pak fjalë, demokraci do të thoshte jetë e mirë – dhe ata që jetonin në Gjermaninë Lindore, Çekosllovakinë komunistë apo Poloni e dinin.
Sfida e Kinës vjen në një moment brishtësie për SHBA. Vjen pas dy dekadash luftërash të pambyllura në skena dytësore, dhe në një kohë kur borxhet në rritje të Washingtonit për të përballur pandeminë, në kombinim me krizën ekonomike dhe stresin social në vend, kanë vënë në dyshim supozimet për rendin botëror dhe shpërndarjen e pushtetit nëpër glob.
Edhe transformimi i kompanive amerikane në njësi transnacionale të shkëputura nga baza e bën shumë më të vështirë detyrën e kundërvënies mesazhit ideologjik kinez. Njëherazi, ndryshimi në vlera që ka gjetur vend në Perëndim, nxitur nga vërshimi i teorisë neo-marksiste në institucionet arsimore amerikane, krijojnë terren pjellor për mesazhet ideologjikë të Pekinit, sidomos te të rinjtë.
Dimensioni ideologjik i kësaj gare të madhe për pushtet do të rritet për nga rëndësia, pasi elita amerikane gjatë dekadës së fundit ka qenë e kapur nga dyshimi te parimet bazë të projektit tonë republikan demokratik, me degradimin progresiv të parimeve qendrore të qytetarisë të zëvendësuara nga kategoritë e grupeve racore e gjinore.
Është ndoshta ironia më e madhe që kolektivizmi marksist – pas shkatërrimit në Rusi dhe ish-bllokun lindor – të ngrejë kokë tri dekada më pas në Amerikë dhe Evropë, duke e bërë në këtë mënyrë më të lehtë punën e Pekinit për shitjen e ideologjisë së tij.
E megjithatë, ky është realiteti me të cilin duhet të përballemi teksa ecim përpara: që historia kurrë nuk mbaroi dhe që ideologjia edhe një herë do të jetë korniza e luftës për pushtet në vitet e ardhshme. Lind pyetja: A jemi në lartësinë e detyrës? A munden amerikanët të bashkohen ende si një komb për të mbrojtur atë që paraardhësit tanë e mbrojtën me shumë sakrifica?