Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha në Ankara të enjten se industria turke e mbrojtjes po rritet ndjeshëm dhe se shtatë kompani turke janë midis 100 më të mirëve në botë, pesë prej të cilave kanë hyrë në listë vetëm në pesë vitet e fundit.
Erdogan foli në një ceremoni për të zbuluar sisteme të reja dhe për të hapur fabrika të reja ASELAN në Ankara, e cila po punon për të rigjeneruar pajisjet dhe armët e Forcave të Armatosura Turke.
ASELAN është një nga kompanitë kryesore në botë në fushën e Sistemeve të Armëve me Telekomandë.
“Ne kemi një industri të mbrojtjes që ka realizuar gati 700 projekte deri më tani. Industria, e cila kishte vetëm 62 projekte pas vetes në 2002, ka realizuar sot afër 700,” tha Erdogan.
Ai shtoi se vendi i tij po rrit praninë në listën e 100 kompanive më të mëdha në industrinë e mbrojtjes.
“Ndër 100 kompanitë më të mira në botë në industrinë e mbrojtjes, shtatë janë turke, pesë prej të cilave kanë hyrë në pesë vitet e fundit,” tha Erdogan.
Sipas tij, Turqia është bërë një vend që në mënyrë të pavarur kapërcen sfidat e paraqitura nga furnizuesit globalë.
Ai nënvizoi se Turqia nuk dëshiron dhe nuk do të sigurojë asgjë nga jashtë në fushën e industrisë së mbrojtjes që mund ta prodhojë vetë.
“Sistemi i vlerësimit dhe dëgjimit me frekuencë të lartë i Karakal, i cili do të na sigurojë një fuqi të madhe në luftën elektronike, tani është gati për përdorim,” tha Erdogan, duke shtuar:
“Sot, Turqia është një vend që arrin të kapërcejë të gjitha vështirësitë e vendosura mbi të nga furnizuesit globalë, si dhe çdo embargo të fshehtë dhe të hapur.”