Ana e butë e Al Kapones/ Nga raporti me të birin, tek bamirësitë e shumta

0
Ana e butë e Al Kapones/ Nga raporti me të birin, tek bamirësitë e shumta

Al Kapone ishte gangsteri i fundit. Ai hyri në botën e krimit si adoleshent në Nju Jork, nën kujdesin e mafiozit Xhoni Torrio. Ai u zhvendos më pas në banim në Ilinois, për ta ndihmuar këtë të fundit të drejtonte mafian e Çikagos.

Kur Torrio doli në pension në vitin 1925, bosi i madh u bë Kapone 26-vjeçar. Zhvatje, prostitucion, vrasje, bixhoz …Kapone ose “Scarface” (Njeriu me shenjë), i bëri të gjitha gjatë epokës së Prohibicionit, duke krijuar një pasuri prej 100 milion dollarësh.

Por pavarësisht reputacionit të tij si një djalë i ashpër, Kapone kishte dhe një anë më të butë, sidomos kur bëhej fjalë për familjen. Djali i tij, Albert Kapone, ishte i prirur të prekej shpesh nga infeksioni në vesh, dhe babai i tij i siguroi kujdesin më të mirë shëndetësor.

Në librin “Kapone:Jeta, trashëgimia dhe legjenda e tij”, shkrimtarja Deirdre Beir intervistoi qindra njerëz, përfshirë pasardhësit e Kapones, për të rrëfyer personin kompleks që fshihej pas vrasësit dhe shkelësit të pamëshirshëm të ligjit.

Al Capone

“Kjo është gjithashtu historia e një djali, burri dhe babai të dashur, që e përshkroi veten si një biznesmen, dhe puna e të cilit ishte t’u jepte njerëzve atë që dëshironin”- shkroi ajo. Përveç se i ofroi një mjeku 100.000 dollarë për t’u kujdesur për gjendjen e djalit të tij (me kursin e sotëm mbi 1.5 milion dollarë), ai i shkroi djalit letra të ëmbla nga burgu.

Letra e shkruar me makinë u shit 62.500 dollarë në një ankand në Masaçusets. I burgosuri në Burgun e Alkatraz, Kapone i thoshte ndër të tjera djalit të tij ”Vazhdo si tani, dhe mos lejo asgjë të të pengojë. Kur të marrësh gramafonin “Sonny”, vendos një nga disqet me këngët për të cilat të kam shkruar”.

E kush e dinte se Armiku Publik nr.1 i Çikagos, ishte kaq shumë i apasionuar pas muzikës? Jo vetëm që i pëlqente ta dëgjonte muzikën, por Kapone këndonte në banjo, dhe i binte kitarës dhe mandolës në Alcatraz.

Banda e tij muzikore “The Rock Islanders”, kishte një grup muzikantësh që luanin vazhdimisht në burg. Kapone i tha djalit të tij në një letër, se dinte përmendësh më shumë se 500 këngë, dhe se ai madje shkroi një këngë dashurie, të titulluar “Madonna Mia”, për nder të gruas së tij Mae.

Mob Museum

Ndërkohë Kapone shpenzoi shumë nga paratë e fituara për komuniteti në nevojë. Beir shkruan në librin e saj, se ai krijoi një mensë popullore për të varfrit gjatë Depresionit të Madh, që ushqente 2.000-3.000 njerëz çdo ditë. Gjithashtu Kapone u jepte shpesh para grave të veja dhe jetimëve.

Nga ana tjetër, Kapone ishte edhe një njeri që mund të mbante shumë inat. Mjafton të “pyesni” të vrarët në Masakrën e Ditës së Shën Valentinit, kur banda e tij vrau 7 anëtarë të bandës Irlandeze të Xhorxh Moran më 14 Shkurt 1929, duke i dhënë fund sundimit të saj në Çikago.

Sidoqoftë, nganjëherë i linte inatet mënjanë. Për shembull, punësoi Frenk Galluçion, njeriun që ikur ia çau fytyrën me thikë Kapones, duke i lënë përjetë plagën e tij të njohur (dhe pseudonimin që e urrente ). Galluçio shërbeu si truprojë i Kapones për një shumë të madhe 100 dollarë në javë.

Al Capone

Sigurisht, Kapone në fillim donte të hakmerrej. Por në atë kohë nuk ishte ende aq i fuqishëm sa do të bëhej më vonë. Miqtë i thanë që të mos hakmerrej ndaj Galluços dhe ashtu bëri. Në vend të kësaj, ai fitoi një aleat.

Burgimi i Kapones përfundoi në nëntorin e vitit 1939, pikërisht në kohën që po kurohej nga sifilizi në një Spital të Baltimorës. Pas atij momenti ai u tërhoq në pension në pallatin e tij në Palm Island në Florida, derisa pësoi një goditje në tru dhe vdiq më 25 janar 1947. Fama e tij frymëzon ende libra, filma, dhe madje edhe turizëm.

Artikulli i mëparshëmSi u vodhën zgjedhjet në SHBA
Artikulli i radhësA do të jetë Kina, fituesja e vërtetë e zgjedhjeve në SHBA?