Pol Pogba po kalon një prej periudhave më të vështira të karrierës së tij. E pranon vetë kampioni francez për mikrofonat e “RTL France”. Gjërat te Mançester Junajtidi nuk po shkojnë siç ish-ylli i Juventusit do të kishte dashur dhe përvoja me kombëtaren është një rrugë shpëtimi për të mos menduar negativisht.
“Nuk kam përjetuar kurrë një periudhë kaq të vështirë në karrierën time”, pranon mesfushori 27-vjeçar. “Për mua, të luaja me kombëtaren franceze ishte një frymëmarrje oksigjeni të pastër. Jemi një familje, jemi të gjithë shumë pranë. Grupi është magjik dhe i shkëlqyer. Fitorja kundër Portugalisë ishte një moment special, treguam pjekurinë tonë. Provova të njëjtat emocione si ato kur fituam Botërorin.
Deshamp na kishte paralajmëruar se pas triumfit në Rusi, jetët tona do të ndryshonin dhe kështu ndodhi. Tani objektivi është të fitojmë Europianin”, shtoi Pogba, skuadra e të cilit është kualifikuar në finalet e Ligës së Kombeve në tetorin e ardhshëm. Por për të menduar deri atëherë, ai duhet të gjejë ekuilibrin e duhur me fanellën e “Djajve të kuq”, në mënyrë që të mund të shprehë 100 për qind aftësitë e tij.
Përpara se të nisin ndeshjet e kombëtareve, francezi u la në stol në dy ndeshjet e fundit nga trajneri Solskjaer, kundër Bashakshehirit në Champions dhe Evertonit në Premier Ligë. Por te “Gjelat” ai ka qenë titullar në të dyja ndeshjet e deritanishme, humbjen 2-0 kundër Finlandës në shtëpi dhe fitoren 1-0 në Lisbonë kundër Portugalisë.
“Ai nuk është në formën e tij më të mirë. Si të gjithë lojtarët që vijnë nga një situatë jo pozitive në klubet e tyre, kjo ndikon psikologjikisht. Unë e njoh mirë dhe e di që kjo ndodh në disa momente. Ne nuk mund të themi se ai është plotësuar në atë që bën në klubin e tij”, tha trajneri Didie Deshamp.