Një i dyshuar për zhdukjen e Madeleine McCann, vogëlushes britanike e cila u zhduk nga një vendpushim portugez 13 vjet më parë, pësoi dy brinjë të thyera në një incident në një gjykatë gjermane, thanë autoritetet të martën.
Incidenti ndodhi pasi Christian Brueckner, i cili po kryen një dënim për drogë, u dërgua të hënën në gjykatën e shtetit Braunschweig për një seancë rutinë për atë çështje.
Zëdhënësja e gjykatës Jessica Knab-Henrichs i tha Associated Press se ai u trajtua për pak kohë në një spital për dy brinjë të thyera dhe më pas u kthye në gjykatë ku u zhvillua seanca.
Incidenti është nën hetim dhe detaje të mëtejshme mbi atë që ka ndodhur në gjykatë pritet të lëshohen më vonë gjatë ditës, tha ajo.
Edhe pse Brueckner është i dyshuar në çështjen McCann, prokurorët kanë thënë se ata nuk kanë ende prova të mjaftueshme për ta mbajtur atë në burg vetëm për çështjen McCann.
Përveç dënimit për trafik droge, të cilin Brueckner do të mbarojë së vuajturi në janar, ai u dënua në 2019 për përdhunimin në vitit 2005 të një gruaje 72-vjeçare amerikane në Portugali dhe u dënua me shtatë vjet të tjera. Kjo është në apel.
McCann ishte 3 vjeçe në kohën e zhdukjes së saj nga një apartament në vitin 2007 ndërsa familja e saj pushonte në qytetin bregdetar të Praia da Luz në rajonin Algarve të Portugalisë.
Autoritetet gjermane në qershor thanë se ata kishin identifikuar shtetasin gjerman 43-vjeçar si të dyshuar në këtë çështje dhe po e hetonin atë nën dyshimin e vrasjes.