Rama, mirmbrëma në kohën e hartimeve patetike

0

Nga Andi Bushati

Kushdo që e ka ndjekur fushatën e fundit lidhur me zhdukjen e provave për krimet e serbëve në Kosovë, me siguri ka vënë re një fenomen të ri. Të gjithë analistët mercenarë të rilindjes evitonin të flisnin për thelbin e gjësë, por shpenzonin kohë televizive me deduksione, kapërcime logjike dhe pyetje të ngritura në eter. Qëndrimi i tyre ishte i kuptueshëm: ishin vënë në pozicionin e palakmueshëm për çdo person publik, atë të mbrojtësit të së pambrojtshmes. Halli i tyre qe, se as nuk e bënin dot surratin balte për të gënjyer, as nuk e shisnin dot Ramën që u kishte dhënë porosinë.

Fiks në këtë pozitë të mjerueshme u shfaq sot edhe vetë Edi Rama, në Facebook, prej nga ku kishte premtuar se do të sqaronte akuzat e opozitës për përgjysmimin e numrit të të vdekurve nga pandemia në këto 8 muaj.

Ai foli për gjithçka, vetëm fakte për atë që kishe dalë nuk serviri dot.

Kur e shihje të monologonte 18 minuta pa pushim, Edi Rama ishte për të ardhur keq.

Asnjë provë, asnjë përgjigje konkrete, asnjë përgënjeshtrim bindës, vetëm dokrra patetike se sa ç’njerzor ishte Luli, sa makabër Saliu dhe sa korruptues mediash Iliri.

Ndërkohë që akuza ishte konkrete, se nga 923 jetë të humbura janë raportuar vetëm diçka më shumë sesa gjysma e tyre, Rama përgjigjej me pyetjen qesharake: “Si mund të flesh më gjumë pasi ke nxjerë nga goja këtë makabritet’.

Ndërkohë që opozita disponon listat emërore të gati 400 personave që kanë dalë të vdekur nga spitalet që funksionojnë ekskluzivisht për Covid 19, por që nuk figurojnë si jetë të humbura nga virusi, Rama flet për kapërcimin e kufirit demokratik të luftës për pushtet.

As citimet nga Emanuel Kanti, as llogaritë e zgjedhjeve të brendëshme të PD-së, as aludimet nëse çifti Kryemadhi- Meta i fsheh lekët në kuti këpucësh, nuk ndihmonin njeri të kuptonte të vërtetën.

Rama sot ngjante me shumë nga analistët e sponsorizuar prej tij, që dalin në publik jo për të kthjelluar, por për ta mjegulluar realitetin.

Pasi dëgjoi akuzën bombë të Lulzim Bashës në “Opinion” për fshehjen e numrit të vdekjeve dhe premtimin e Ramës se do ti çmontonte ato këtë të shtunë në 18 30, Lapsi.al u përpoq të kuptonte se si qëndronte ky problem.

Gazetarët tanë panë dokumentat e morgut, listat emërore të atyre që kanë humbur jetë dhe konkluzioni që nxorën në investigimin e tyre ishte ky: “Po, Lulzim Basha ka të drejtë se nga 3 spitalet Covid-19 kanë dalë deri më tani më shumë të vdekur sesa janë raportuar”.

Por, manipulimi nuk është kaq i thjeshtë sa duket nga thëniet e selisë blu. Sistemi ynë mjeksor, në kundërshtim me udhëzimin e OBSH-së, ka zgjedhur të mos kontabilizojë si jetë të humbura nga pandemia, ata të cilët kanë vdekur prej komplikacioneve që shkakton ky virus në organe të tjera.

Gazetarët tanë u njohën me kartelat e morgut (në fjalën e tij Rama i përmendi ato shkarazi vetëm pas minutës së 14-të), kur një person që kishte vdekur në sanatorium llogaritej jo si jetë e humbur nga Covid-19, por nga sulmi në zemër.

Pikërisht këtu konsiston, sipas investigimit tonë edhe divergjenca e shifrave, mes atyre zyrtare dhe asaj që pretendon opozita. Por ndonëse ky është një debat mbi kritere shkencore dhe se shumë specilistë pohojnë se çdo humbje jete e një personi, menjëherë pasi ai është infektuar, duhet konsideruar, me kriteret e OBSH, si viktimë e kësaj pandemie, Edi Rama as nuk denjoi të merrej me këtë.

Kushdo që ka pritur nga ai një shpjegim, qoftë edhe një vizion apo justifikim teorik, ka mbetur i zhgënjyer.

Ai pretmtoi me bujë 24 orë më parë se do të përgëneshjtronte provat, por realisht vetëm shau dhe fyeu artikuluesit e tyre.

Për këtë, paraqitja e tij e sotme ishte e turpshme, aspak faktike, por patetike. Edhe për nga argumentimi edhe për nga cilësia, ajo ngjante me ato hartimet e detyrueshme të kohës kur Edi shkonte në shkollë dhe kur mësuesi i letërsisë i kërkonte në klasë të shkruanin se sa dëm i bëjnë popullit armiqtë e partisë.

Askush nuk mund të vërë bast se ky degradim, atij i vjen thjeshtë sepse do të fshehë gënjeshtrën që ka urdhëruar.

Askush nuk mund të thotë as, se arsyet janë krejt të tjera, si ezaurimi i gjatë nga përplasjet politike, apo fakti se njeriu që në këtë vend manipulon gjithçka, këtë virus të panjohur nuk e kontrollon dot.

Por, një gjë duket qartë, që të shihje Edi Ramën aq të mjerë sa sot, është një derexhe që nuk i urohet as armikut./lapsi.al

Artikulli i mëparshëm‘Oruc Reis’, Turqia merr vendimin e papritur
Artikulli i radhësPërfundon numërimi ashtu siç pritej, Monika Kryemadhi shpallet kryetare e LSI-së