Tregu 21 mln euro; Renditja e 30 shoqërive më të mëdha të auditimit dhe konsulencës në Shqipëri

0

Cilat janë shoqëritë më të mëdha të auditit dhe konsulencës në Shqipëri. Sa është qarkullimi vjetor total i tregut. Për herë të parë publikohet renditja e 30 shoqërive më të mëdha të këtij segmenti në vend. Krahasimi me tendencat globale

Përgatiti: Ekipi i Nexia AL*

Shërbimet e auditimit në Shqipëri ofrohen nga 61 shoqëri dhe 234 auditues ligjorë të regjistruar në regjistrin publik të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA: www.ieka.al). Shoqëritë e auditimit, përveç shërbimeve të auditinit, ofrojnë edhe këshillime tatimore, kontabilitet dhe këshillime të natyrës financiare, ligjore e të tjera të ngjashme.

Në total, duke përfshirë dhe 31 shoqëritë e tjera (që raportuan gjithsej qarkullim prej rreth 67 milionë lekësh, të ardhurat totale të tregut të këshillimit dhe auditimit në vend ishte 2.5 miliardë lekë (rreth 21 milionë euro).
Nisur nga vëmendja gjithmonë e më e madhe që po i jepet transparencës, si dhe cilësisë së informacionit financiar të publikuar, ky artikull synon të japë një panoramë të plotë të aktivitetit të shoqërive audituese në Shqipëri, ecurinë e tyre në tregun vendas, duke e krahasuar edhe me atë botëror.

Auditimi nuk është tregues i suksesit, por dera drejt tij

Nga analiza e 12 shoqërive më të mëdha në vend, të cilat kanë publikuar raportin e transparencës, të ardhurat nga shërbimet e auditimit ligjor zënë vetëm 15% të totalit të këtyre shoqërive (sipas pasqyrave financiare). Nuk gjenden të dhëna të mjaftueshme për ndarjen e pjesës tjetër të të ardhurave (85%) midis linjave kryesore të shërbimit, por kjo tregon që aktiviteti kryesor i tyre përqendrohet në këshillime.

Rrjedhimisht, çdo analizë apo klasifikim i tyre, bazuar vetëm në auditimin ligjor, do të ishte i cunguar. Auditimi, gjithnjë e më shumë, po kthehet në një derë hyrëse për të shitur shërbime të tjera me vlerë më të shtuar. Me gjithë peshën e ulët në raport me të ardhurat, auditimi mbetet një nga shërbimet më të rëndësishme në raport me interesin publik dhe rregullator.

Treguesit e tregut janë në rritje

Rritja mesatare e shoqërive të auditimit në vitin 2019 në Shqipëri ka qenë 12%, vlerë më e lartë sesa rritja në rang global prej 4% sipas të dhënave të publikuara në “World Survey nga International Accounting Bulletin” (“IAB”).

-Katër të mëdhenjtë (Big-4): Rritja mesatare në vitin 2019 e Big-4 në Shqipëri ka qenë 6%, vlerë më e lartë sesa rritja e tyre në botë prej 4%.

-Nga nr.5 deri në nr.10 në renditje (Second-Tier): Rritja mesatare në vitin 2019 e Second-Tier në Shqipëri ka qenë 16%, vlerë kjo shumë më e lartë sesa rritja botërore e tyre prej 5%.

Të tjerët: Ndërkohë që rritja mesatare e pjesës tjetër të shoqërive gjatë vitit 2019 në Shqipëri ka qenë 29%, edhe kjo më e lartë sesa rritja e tyre botërore prej 10%. Në treguesit mesatarë botërorë kanë qenë pjesë vetëm 51 organizata botërore.

Renditja e 10 Shoqërive Audituese më të mëdha në Shqipëri

Sipas pasqyrave financiare të publikuara në QKB, për vitet 2019 dhe 2018, renditja e 10 shoqërive audituese më të mëdha ne Shqipëri është e paraqitur në grafikun “Renditja e 10 Shoqërive Audituese më të mëdha”.

Në tregun shqiptar, ashtu si edhe në botë, “Deloitte” pozicionohet në vendin e parë për të dy vitet 2019 e 2018, duke treguar dukshëm pozicionimin si kryesues në treg, me një diferencë të madhe nga ndjekësit. Të ardhurat e “Deloitte” ishin 1 miliardë lekë, ose sa 42% e totalit të raportuar nga 61 shoqëritë audituese të licencuara në vend.

Në vendin e 2-të dhe të 3-të renditen njëlloj për të dy vitet 2019 dhe 2018 përkatësisht Shoqëritë “Ernst&Young” dhe “PwC”. “Ernst&Young” kishte të ardhura prej 230 milionë lekë (9.2% e totalit) dhe “PwC”, 202 milionë lekë (8% e totalit).

Ndërsa në vitin 2019, vihet re rënia me një vend e KPMG, për shkak të tërheqjes nga tregu shqiptar në ofrimin e shërbimeve të auditimit. Nga vendi i 4-t që KPMG mbante në vitin 2018, ajo renditet në vendin 5 në vitin 2019, duke ndryshuar vendet me “Mazars”, e cila tashmë renditet një pozicion më lart, në vendin e 4-t. Të ardhurat e “KPMG” u tkurrën me 33% në 2019-n.

Ndryshimin me të madh e ka pasur shoqëria “Albanian Audit Partners”, me një rritje prej 5 vendesh në renditje, nga vendi i 11 në vitin 2018 në vendin e 6 në vitin 2019, si rrjedhojë e katërfishimit të të ardhurave. Ndryshimi ka bërë që “Grant Thornton”, “ILD 99” dhe “BDO” kanë humbur një vend në renditje krahasuar me vitin 2018.

“Nexia AL”, e cila deri në tetor 2020 ka qenë pjesë e rrjetit “Baker Tilly International” dhe që prej nëntorit 2020 është pjesë e rrjetit ndërkombëtar “Nexia International”, ka ruajtur renditjen në vendin e 10 për të dy vitet 2019 dhe 2018. “UHY Elite” e cila renditej në vendin e 9 në vitin 2018, ka zbritur 3 pozicione, në vendin e 12 për vitin 2019.

Sipas të dhënave të publikuara nga IAB, mbështetur në të dhënat e vitit financiar 2019, renditja e BIG-4 dhe fasha e dytë (second-tier) është disi më ndryshe, se pozicionimi i tyre në tregun shqiptar.

Nga 10 shoqëritë e mëdha, vërehet që 2 prej tyre nuk janë pjesë e rrjeteve globale. Me përjashtim të “Mazars”, i cili renditet i katërti në Shqipëri dhe nuk klasifikohet në 10 më të mëdhenjtë në botë, pjesa tjetër e shoqërive ruajnë në Shqipëri pothuajse të njëjtin klasifikim me atë botëror. Listës së 10 më të mëdhenjve në Shqipëri i mungojnë nga renditja botërore “Crowe” (renditur i 12 në Shqipëri) dhe RSM (jashtë renditjes).

Analiza e shërbimeve të ofruara nga BIG-4

Ashtu si në tregun botëror, edhe në Shqipëri, BIG-4 (përkatësisht “Deloitte”, “Ernst&Young”, “PwC” dhe KPMG), për vitin 2019 zotërojnë 64% të tregut të shoqërive të auditimit. Të ardhurat e tyre për vitin 2019 shënuan një rritje me 6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Të ardhurat totale të realizuara nga BIG-4 për vitin 2019 janë 1.614 milionë lekë, nga të cilat vetëm 5% e tyre lidhet me shërbime auditimi.

Rënia në tarifat e auditimit, për shkak të konkurrencës, rritja e mbikëqyrjes rregullatore nga ana tjetër, si dhe rritja e kërkesës gjithnjë e më shumë në shërbime të tjera këshillimi është një tendencë që vërehet edhe në botë dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Analiza e shërbimeve të ofruara nga fasha e dytë (second-tier)

Gjashtë shoqëritë e tjera në renditje, të cilat plotësojnë listën e 10 më të mëdhenjve në vend, disa prej të cilave janë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të njohura (“Mazars”, “Grant Thornton”, BDO dhe “Nexia”), zënë 15% të tregut të shoqërive të auditimit. Të ardhurat e tyre për vitin 2019 shënuan rritje me 16% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Të ardhurat totale të realizuara nga fasha e dytë (6 shoqëri) për vitin 2019 janë 375 milionë lekë, nga të cilat vetëm 16% e totalit të të ardhurave të realizuara lidhet me shërbime auditimi.

Analiza e shërbimeve të ofruara nga shoqëritë e tjera

51 shoqëritë e tjera audituese kanë realizuar 449 milionë lekë të ardhura për vitin 2019 duke zënë 18% të tregut të shoqërive të auditimit. Të ardhurat e tyre për vitin 2019 shënuan rritje me 29% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Të dhënat e plota financiare dhe renditja e 30 Shoqërive Audituese më të mëdha në Shqipëri.

Për të dhënat e plota sipas pasqyrave financiare të publikuara në QBK dhe ndarja e shërbimeve sipas të dhënave në Raportet të Transparencës për 30 Shoqëritë Audituese më të mëdha në vend shiko tabelën “Të dhënat e 30 shoqërive më të mëdha në Shqipëri dhe renditja e tyre për vitin 2019”.

[1] Nexia AL është një shoqëri auditimi dhe konsulencash që ofron shërbime në Shqipëri që prej vitit 2009, pjesë e Nexia International, renditur e 9-ta në renditjen botërore.

Artikulli i mëparshëmEkonomia, apo shëndeti?!
Artikulli i radhësMish pule në furrë me domate, speca dhe oriz