Basha nga Thumana: Do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe!

0
Basha nga Thumana: Do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka ngushëlluar sot familjen e Bujar Çukës në Thumanë, e përgjysmuar tashmë, pasi zonja e shtëpisë dhe djali i saj u vranë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në një mesazh që ia drejtoi të gjitha familjeve që u lënduan nga tragjedia e 26 nëntorit, humbën njerëzit më të shtrenjtë dhe mbetën edhe pa strehë, Basha premtoi se do të bëjë gjithçka që t’i jepet fund kësaj katastrofe dhe njerëzit e dëmtuar të marrin zgjidhje.

‘’Jam këtu për t’i dhënë forcë dhe për t’i shprehur ngushëllimet Bujarit dhe Megit për humbjen e të dashurve të tyre, nënës dhe vëllait, bashkëshortes dhe djalit.

Sikundër për t’i shprehur të gjithë ngushëllimet e mia dhe për t’i dhënë forcë gjithë shqiptarëve, që humbën të dashurit e tyre në tërmetin e 26 Nëntorit, sot një vit më parë.

Jam i vetëdijshëm sepse vazhdimisht kam qenë në zonat e goditura nga tërmeti për vuajtjet, dhimbjet, në radhë të parë të atyre që humbën të dashurit e tyre, por edhe të qindra mijëra familjeve të tjera që iu shkatërrua pasuria e një jete, shtëpitë, banesat e tyre, vuajtjet të cilat për fat të keq vazhdojnë edhe sot që flasim, ku shumica dërrmuese e familjeve vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira.

Një pjesë e tyre akoma në çadra, një pjesë e tyre janë futur, janë detyruar të futen në shtëpi të pasigurta, njësoj si ato që shkaktuan tragjedinë e Thumanës ku rikthimi në dy pallatet e dëmtuara nga tërmetet e mëparshme solli dhe humbjen e 24 jetëve.

Gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë. Ata janë dyfish të kërcënuar nga pandemia për shkak të mungesës së elementëve bazë higjieno – sanitare, të ujit të rrjedhshëm.

Ndaj, sot bashkë me ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe me dëshirën për t’i dhënë forcë çdo kujt në emër të të gjithë shqiptarëve dua të shpreh edhe njëherë indinjatën që një vit më pas kemi shumë fjalë dhe pak punë, kemi premtime të pambajtura dhe kemi mijëra familje që gjenden në një situatë shumë të vështirë pas tërmetit, pa banesa të sigurta, me një gjendje ekonomike të rrënuar.

Dua të zotohem, sot në 1 këtë vjetor të tërmetit, se do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe në vazhdim. Do të bëjmë gjithçka që njerëzit e dëmtuar nga tërmeti të marrin ndihmën e merituar dhe jo vetëm fjalë e premtime boshe.

E di që kjo është një ditë shumë e trishtë për mijëra familje shqiptare, e di që e sotmja i gjen me një situatë të pandryshuar për disa muaj që pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit. Kam qenë pranë tyre, i kam vizituar pranë rrënojave të shtëpive të tyre, brenda çadrave ku kanë kaluar dimrin e kaluar, verën dhe përsëri vjeshtën dhe dimrin që po vjen.

Dua t’ju them që e ndiej dhimbjen tuaj, ndiej revoltën tuaj. Do bëj gjithçka që mos t’ju zhgënjej dhe t’i japim fund një politike të fjalëve, të premtimeve të pambajtura dhe të keqpërdorimit të fatkeqësisë. Dhe do bëhemi të gjithë bashkë që ju të merrni atë që meritoni dhe që vendi të ketë një qeveri të përgjegjshme, e cila ndjen dhimbjen me ju dhe bën gjithçka për ta lehtësuar këtë dhimbje përmes veprave dhe jo fjalëve boshe.’’

Basha u ndal edhe në dy familje të tjera në Thumanë të cilët kanë humbur banesat e tyre, por ende një vit më pas nuk kanë marrë ende asnjë zgjidhje nga qeveria.

Artikulli i mëparshëm“Po vuaj më shumë se të gjithë”, përlotet Manastirliu: Kush guxon të prekë mjekët, do të përballet me të gjithë shqiptarët!
Artikulli i radhësDëmet e tërmetit u vlerësuan nga punonjës të ‘pakualifikuar’