Pabarazitë në arsim po rriten dita – ditës, teksa shtresat e popullsisë me të ardhura të larta po i rrisin shpenzimet për t’u arsimuar me ritme më të shpejta se ato të varfra.
Thellimi i pabarazive në arsim shtron premisat për thellimin e hendekut pasuror në të ardhmen.
Nga të dhënat e INSTAT shihet se në vitin 2019 familjet e pasura, që përfshihen në 20 përqindëshin me të ardhurat më të larta, i kushtuan arsimit gati 7% të shpenzimeve mujore, ndërsa familjet e varfra ato në 20 për qindëshin me të ardhura të ulëta shpenzuan për arsimin vetëm 0.2% të buxhetit mujor.
Nga të dhënat shihet se, shpenzimet e familjeve të “pasura” janë 34 herë më të larta se ato të familjeve të varfra.
Më shumë se mungesa e fondeve, familjet në nivelin e poshtëm të të ardhurave nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur arsimit, përderisa shpenzojmë më shumë nga buxheti i tyre për t’u argëtuar.
Arsimi, i cili është mjeti kryesor për të ndryshuar perspektivën e varfërisë për këto familje mbetet më i nënvlerësuar, sipas anketës së INSTAT për strukturën e shpenzimeve mujore në familjet shqiptare më 2019.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, familjet e varfra shpenzojnë vetëm 0.2% të buxhetit të tyre mujor për arritjet mësimore, në të kundërt shpenzimet për argëtim, restorante dhe hotele marrin 3.2% të buxhetit mujor të tyre. Shpenzimet për këto shërbime shihet të jenë 16 herë më të larta se, ato për arsim.
Siç shihet nga të dhënat e INSTAT, familjet me të ardhura të larta i kanë rritur shpenzimet për arsim me ritme shumë më të larta se familjet e varfra në dekadën e fundit.
Në vitin 2009, familjet me të ardhura të larta çonin 3.8% të shpenzimeve të tyre mujore për shërbimet arsimore, ndërsa në vitin 2019, ky tregues ishte 6.9%.
Familjet më të varfra në vitin 2009 i dedikuan vetëm 0.1% të buxhetit të tyre mujor shërbimeve arsimore, ndërsa në vitin 2019 ky tregues ishte 0.2%
Në të gjithë botën, arritjet arsimore janë guri i themelit për të ndryshuar perspektiven ekonomike të një vendi, ndërsa barazitë në arsim sigurojnë një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të ekonomisë./B.Hoxha