Ka gjithmonë disa lajme që nuk bien në sy te media tradicionale, por rrjeti zien prej tyre.
Kështu ka ndodhur edhe me një lajm sot. Ambasada gjermane bëri të ditur se Gjermania ka dhuruar 200 palë këpucë për forcat speciale RENEA.
“200 palë këpucë shërbimi me vlerë 30.000 euro. Këpucët e shërbimit janë në përputhje me standardet evropiane të sigurisë në punë dhe zëvendësojnë pajisjet personale të konsumuara të oficerëve dhe oficereve. Ndihma në pajisje u prit me mirënjohje nga komandantët e njësive”, shkruhet në profilin në Facebook, të ambasadës gjermane në Tiranë.
Mirënjohja e komandantëve nuk është ndarë njësoj nga komentuesit në rrjetet sociale, që shprehin irritim për faktin se një prej reparteve në frontin e luftës kundër krimit e kanë lënë pa këpucë.
Një batutë e Edi Ogës u bë virale në rrjet. “Qeveria gjermane dhuroi 200 palë këpucë për policët, ndërkohë që ministri shpresonte për 4 goma dimri origjinale për BMW-në!” shkruan ai.