Pas raportimeve të gazetës “Der Standard” se një Gjykatë në Vjenë ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive shqiptare në Austri për llogari të disa investitorëve italianë, për shkak se Shqipëria ka refuzuar të paguajë arbitrazhin ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në studion e emisionit “Çim Peka Live”, Basha e ka quajtur këtë një fatalitet financiar për vendin, ndërsa thekson se arroganca e Ramës dhe Veliajt po i kushton shqiptarëve një një faturë të madhe.
Çim Peka: Atëherë do ta mbyllim me një lajm të fundit mund t’ju them një prej gazetave më prestigjoze njofton: “Nis konfiskimi i pasurive të shqiptarëve në botë pasi Rama refuzon të paguaj Francesko Beketin”, është një lajm i konfirmuar. Austria është e para që po fillon ta ekzekutojë bëhet fjalë për rreth 120 milion euro, pra kërkohet çdo aset i shtetit shqiptar jashtë Shqipërisë për tu konfiskuar. A keni një koment për të dhe kur të vini në pushtet çfarë do të bëni zoti Basha.
Lulzim Basha: Që vendi mund të humbë gjyqe në arbitrazh kjo ndodh, na ka ndodh dhe ne. që një qeveri, apo dhe një kryeministër dhe në këtë rast dhe ministri i tij, Rama-Veliaj në mënyrë kaq arrogante të krijojë kushtet përmes mbylljes së një medie, që është mbyllja e medias që e shkaktoi këtë, për ti lënë shqiptarëve një faturë kaq të madhe kjo nuk duhet të ishte në asnjë rrethanë një fatalitet financiar për Republikën. Këto para nuk duhet të paguheshin kurrë nga xhepat e shqiptarëve, këto para duhet të paguheshin nga xhepat dhe pasuritë e atyre që kanë shkaktuar këtë të keqe. Ky është komenti im i vetëm që kam për këtë. Ja ku na çoi çmenduria dhe arroganca e para disa viteve. Për një media që donin ta mbyllnin me çdo kusht dhe që e mbyllën kundër ligjit, kundër Kushtetutës, kundër parimeve europiane dhe normave europiane të cilat Shqipëria është e detyruar t’i zbatojë pasi firmos protokollet përkatëse të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, shkon dhe merr një faturë të tillë. Ky është komenti im. Kjo është papërgjegjshmëria dhe arroganca, fatura e papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së Edi Ramës. Është vetëm një pjesë e faturës që po paguajmë, është vetëm një pjesë që paguajnë dit për dit familjet shqiptare.