Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën këtë mesditë. Ridvan Ramazani u ekzekutua me armë zjarri në fshatin Mushan. 46-vjeçari u gjet i vrarë brenda makinës së tij tip “BMW” pranë një karburanti.
Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërkohë policia ka bërë të ditur se po bën krehjen e zonës, ndërsa në ndihmë u janë bashkuar forcat e FNSh Shkodër dhe forcat Speciale Renea.
Ramazani njihej si një person me precedentë penalë në Shkodër dhe me probleme me grupet e tjera kriminale në zonë.
ABC News raporton se në vitin 2008 është ekzekutuar edhe vëllai i 46-vjeçarit, Enver Hyseni (Ramazani). Viktima, baba i 3 fëmijëve po udhëtonte me makinë në aksin rrugor Dajç-Darragjat, kur 2 km larg shtëpisë së tij ndodhi atentati. Sipas burimeve të policisë, 50-vjeçari Hyseni, i njohur dhe me mbiemrin Ramazani drejtonte një fuoristradë “Benz” ML me targa të huaja në momentin e krimit, duke ndjekur një rrugë dytësore fshati që të mbërrinte deri në banesë.
Sipas burimeve të Report Tv, fisi Ramazani ka pasur konflikte të vjetra me fisin e Edmir Koçisë.
Ky i fundit është ekzekutuar më 28 nëntor 2012. Rastësi apo mesazh ekzekutimi pas fiks tetë vitesh?