Kreu i Kuvendit, Gamoz Ruçi kërkon faljen e borxheve që ish-ushtarakët kanë krijuar ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si pasojë e diferencës nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend, Ruçi argumenton se kjo kategori është e detyruara të kthejë paratë e përfituara, ndërkohë që problematika është shkaktuar si pasojë e ndryshimeve të herë pas hershme të kuadrit ligjor.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, legjislacioni ka ndryshuar 4 herë, ndërkohë që një vendi unifkues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i viti 2016 detyroi ISSH-në të rillogaritë pensionet, duke nxjerrë debitorë ushtarakët që përfitonin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, çka i detyroi këta të fundit të kthenin diferencat e përfituara. Sipas të dhënavë të ISSH-së, vlera debitore e krijuar përllogaritet në masën 110 milion lekë, ndërkohë që në propozim Ruçi argumenton se projektligji vjen në kuadër të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria në programin politik të saj ku është parashikuar zgjidhja e ngërçit ligjor për ish-ushtarakët.
Ky është propozimi i dytë që vjen brenda një harku kohor prej një jave për faljen e borxheve të krijuara ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pas propozimit të bërë nga deputeti Ilir Beqaj për kategorinë e minatorëve. Pavarësisht se këto problematika kanë vite që ngrihen nga ish-ushtarakët apo minatorët, amnistitë e propozuara vijnë vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit.