Endri Shabani ka zbuluar gjatë një interviste për Report Tv, se partia është regjistruar në gjykatë dhe ai është kryetar i NismësThurje. Në krye të një lëvizjeje, që ka bërë një betejë publike për listat e hapura dhe ka folur gjatë për demokratizimin e partive politike, Shabani u shpreh shkurt, se ai është zgjedhur kryetar i partisë nga grupi themeltar.
Shabani e quajti kryetarin “gjënë më të parëndësishme” dhe tha se ishte zgjedhur nga grupi themeltar.
“Kryetari është gjëja më e parëndësishme që të jem i sinqertë, por.. Për shkak të formalizmit (në gjykatë) grupi themeltar më ka zgjedhur mua për kryetar dhe ka vendosur që unë ta përfaqësoj partinë” u shpreh Shabani.
“Ne kemi një grup themeltar, që e kemi që prej krijimit të organizatës. Kemi bërë një diskutim me aktivistë. Kemi bërë edhe një sondazh për të parë se çfarë duhet të bënim për tu futur apo jo në zgjedhje. Propozimi i qytetarëve ka qenë që duhet të futemi”, tha ai.
Partia ‘Nisma Thurje’ u zyrtarizua ditën e shtunë përmes një aktiviteti online. Lëvizja politike u prezantua nga deputetja e Endri Shabani, deputetja Rudina Hajdari dhe anëtarët e tjerë të “Thurjes”. Hajdari u shpreh se shqiptarët janë të pasur, por të vjedhur nga politika. Pas 30 vitesh sipas saj më në fund ka shpresë por ajo që duhet është bashkimi. Ndërkohë që drejtuesi Shabani prezantoi idetë dhe projektet e kësaj lëvizjeje.