Konfindustria vlerëson në një njoftim zyrtar, se edhe pas ndryshimeve të fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në urdhërin administrativ për kalimin e detyrimeve të kompanisë, ortakëve dhe administratorëve, është lënë hapsirë e gjerë për keqinterpretim të skajshëm në zbatim. Në aktin nënligjor në fjalë përsëri nuk bëhet dallim i qartë dhe i prerë ndërmjet mënyrës ligjore të prekjes të llogarive/aktiveve të bizneseve si dhe llogarive/pasurisë personale të aksionerëve dhe administratorëve, si dy procese ta pavarura gjyqësore.
Konfindustria vlerëson, se akti nënligjor sërsh është në kundërshtim me ligjet thelbësore të ekonomisë së tregut, ligjin për shoqërite tregtare, prek deri te të drejtat themelore të njeriut dhe duhet përmirësim i plotë i tij. Në rast të kundërt, Konfindustria do të drejtohet me padi në Gjykatën Administrative për shfuqizim të plotë të aktit nënligjor në fjalë.
Konfindustria vlerëson, se fatkeqësisht, edhe përpara hyrjes në fuqi të urdhërit në fjalë, agjencitë tatimore në nivel qëndror dhe vendor e kanë bërë praktikë bllokimin e llogarive personale bankare të administratorëve të bizneseve. Tashmë, akti ekzekutiv në fjalë, zgjeronte fushën e veprimit, duke prekur llogaritë/pasuritë personale edhe të ortakëve. Në këtë rast kemi edhe goditje të drejtëpërdrejtë të lirive themelore të njeriut, sepse ortakët, sidomos atë të pakicës, mund të mos kenë asnje të drejtë vendimarrje në biznes dhe si rrjedhim edhe asnjë përgjegjësi.
Akti i mësipërm prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë jo vetem biznesin dhe qytetarët, por njëkohësisht ul shumë seriozitetin e shtetit shqiptar në tregjet financiare ndërkombëtare. Dëmtimi i qartë i mjedisit të të bërit biznes në Shqipëri nga akti në fjalë, dobëson më tej edhe fuqinë konkuruese në tërheqjen e investimeve të vendit dhe të huaja, me pasoja të rënda për tejkalimin e gjendjes së vështirë të sotme të ekonomisë kombëtare, përfunson njoftimi.
Debate për bllokimin e llogarive
Një ndryshim i pak javëve më parë në ligjin e procedurave tatimore që parashkonte bllokimin e llogarive të administratorëve dhe aksionerëve te subjektet me formë juridike (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) që nuk kanë shlyer detyrimet hasi shumë kundërshtime. 22 Dhoma të Tregtisë dhe Shoqatave të Biznesit, si asnjëherë më parë, njëzëri e cilësuan nismën abuzive dhe se përkeqëson klimën e biznesit. https://www.monitor.al/22-shoqata-biznesi-kunder-bllokimit-te-llogarive-te-administratoreve-aksionereve/
Nisma u kundërshtua edhe nga përfaqësuesit e studiove ligjore më të njohura në Shqipëri, të cilët thanë se akti nënligjor krijon hapësira për abuzim të tejskajshëm nga administrata tatimore.
Pas shqetësimeve të ngritura fort nga sipërmarrja dhe konsulentët juridikë në këto 2 javë Ministria e Financave reagoi duke bërë ndryshime në udhëzim. Sipas këtyre ndryshimeve, Bllokimi i llogarive të administratorëve dhe aksionerëve te subjektet me formë juridike (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) që nuk kanë shlyer detyrimet, do të zbatohet vetëm në rast se ka një vendim të formës të prerë të gjykatës. https://www.monitor.al/ndryshon-udhezimi-financat-bllokimi-i-llogarive-vetem-nese-ka-vendim-te-formes-se-prere-te-gjykates/