
Qeveria italiane ka miratuar një paketë shtesë me vlerë rreth 8 miliardë euro për të mbështetur bizneset e goditura nga vala e dytë e pandemisë së koronavirusit.
Një pjesë e madhe e paketës, e cila u miratua nga kabineti në orët e para të së hënës, ka në qendër shtyrjen e afateve të pagesës së taksave për ndërmarrjet e vogla dhe të vetëpunësuarit për disa muaj.
Roma do të sigurojë gjithashtu një pagesë të vetme prej 1,000 eurosh për punëtorët në sektorët e turizmit, SPA-ve dhe teatrove, të cilët janë goditur veçanërisht keq nga kriza e koronavirusit.
Duke nënvizuar shkallën e problemit, këto masa të fundit erdhën në më pak se dy javë pasi qeveria kishte shpalosur mbështetjen me vlerë rreth 10 miliardë euro, duke ofruar grante për bizneset dhe ndihmë ushqimore për të varfërit.
Italia ishte vendi i parë perëndimor që u godit nga virusi në shkurt, me shpërthimin që u vendosë nën kontroll pas një bllokimi kombëtar disa mujor. Pas një qetësie gjatë verës, infeksionet u rritën përsëri në tetor.
Deri të dielën, numri i viktimave për shkak të virusit shkoi në 54,904 njerëz, numri i dytë më i lartë në Europë pas Britanisë. Italia ka regjistruar gjithashtu rreth 1.585 milionë të infektuar.
Ekonomia e Italisë pritet të tkurret me të paktën 9% këtë vit për shkak të masave të bllokimit që synojnë frenimin e epidemisë.
Qeveria po planifikon gjithashtu të shpenzojë një fond shtesë prej 15-20 miliardë euro në fillim të vitit të ardhshëm për të ndihmuar ekonominë, e cila do të rritë deficitin në vitn2021, sipas burimeve, shkruan Reuters.