Edhe pse pandemia vazhdon të jetë argumenti i ditës në mediet ndërkombëtare, këto ditë mund të shohësh se si disa lajme që gëlojnë në medien sociale, ia kanë dalë të jenë kryelajm edhe në median tradicionale.
Bëhet fjalë për dy ‘monumente’ që kanë ndezur flakë fantazinë dhe diskutimet online.
Fillimisht u fol shumë për një monolit metali, që u gjet në mes të shkretëtirës në Jutah të Amerikës. Objekti tre metra i lartë u zbulua nga disa rojtarë që po numëronin dhitë e egra me helikopter.
Kaq u desh dhe mijëra njerëz vërshuan në shkretëtirë për të bërë foto me objektin ‘alien’. Autoritetet thanë se kishin nisur një hetim për të zbuluar se si ka mbërritur objekti deri aty. Teza më e fortë ishte se monoliti është një vepër arti.
Por krejt papritur, monoliti i ngjashëm me skenat e filmave fanta-shkencë u zhduk. Policia thotë se nuk ka ndërmend të hetojë edhe zhdukjen e tij.
Një objekt i ngjashëm thuhet se u shfaq në Rumani, por këtë herë dukej se ishte thjesht mashtrim.
Nga ana tjetër, sipas The Guardian, policia gjermane ka nisur hetimet për një tjetër ‘monument’ enigmatik.
Bëhet fjalë për një statujë në formë fallike, e cila ishte vendosur në një mal në Bavari. Thuhet se statuja dymetroshe i ishte bërë dhuratë një burri, por ai nuk e vlerësoi dhe e ngjitën në mal.
Atje ishte bërë si objekt kulti. Por së fundmi, statuja është zhdukur. Statuja prej druri mendohet se është prerë. Policia thotë se ka nisur hetimet.