Ndonëse një nismë e qeverisë, për amnistinë fiskale, e shpallur që në shkurt, është kundërshtuar fort nga ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare, qeveria nuk ka hequr ende dorë përfundimisht prej saj.
Në raportin e fundit të FMN-së, thuhet se “Autoritetet kanë bërë të ditur se ata nuk do ta kalojnë ligjin për amnistinë deri sa të adresohen shqetësimet e ngritura nga aktorët vendas dhe komuniteti ndërkombëtar”.
Ndërkohë, FMN e ka ritheksuar qartë qëndrimin e tij kundër miratimit të një amnistie fiskale. “Stafi përsëriti këshillën kundrër një ligji për amnisti të taksave, duke pasur parasysh ndikimin e tij në pagimin e taksave dhe po ashtu në pastrimin e parave dhe rreziqet e qeverisë”.
FMN kërkon që të vazhdojë të forcohet kuadri për paranadalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”.
Por, qeveria duket se nuk ia ka dhënë një përgjigje përfundimtare FMN-së se ajo do të heqë dorë nga kjo politikë, por vetëm se do ta rishikojë dhe përmirësojë atë.
“Ligji për amnisti fiskale është duke u rishikuar nga një komision parlamentar dhe do të marrë parasysh komentet nga Money Val, Komisioni Evropian, si dhe palët e tjera të interesit (të përfshirë në audicionet parlamentare). Autoritetet kanë shtuar përpjekjet e tyre për të adresuar mangësitë e mbetura të theksuara nga vlerësimi i Money Val ”, thuhet në raport.
Drafti i amnistisë
Kryeministri Edi Rama e shpalli planin për realizimin e një amnistie një amnisti kapitali, në fund të shkurtit të këtij viti. Ai tha se amnistia do të kishte në fokus emigrantët, por duke përjashtuar këtu paratë e drogës, krimit si dhe ato të gjykatësve e prokurorëve.
Projekti u la për pak kohë në hije, si rrjedhojë e fillimit të pandemisë, ndërsa në maj filloi sërish të diskutohej.
Në qershor u publikuar dhe drafti i parë, sipas të cilit Amnistia e kapitaleve do të zbatohet mbi parimin e deklarimit vullnetar të pasurive të padeklaruara nga individët dhe sipërmarrja. Qeveria parashikon të aplikojnë një tatim në burim nga 5 deri në 10% për të nxitur deklarimin e pasurive. Drafti parashikohej të miratohej në Kuvend brenda sesionit parlamentar të korrikut, por u shty për në shtator për shkak të kundërshtimeve të shumta që hasi, kryesisht nga institucionet ndërkombëtare, që shprehën si shqetësim kryesor rrezikun e pastrimit të parave.
Krahas FMN-së, edhe Komisioni Europian doli hapur kundër. Sipas Komisionit Europian, një amnisti e tillë tatimore do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar sepse përkufizimi i pasurive përfshin elementë të tillë si prona e paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, paratë cash të mbajtura në monedhën vendase ose të huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë prej ari ose gure te cmuar.
Është e vështirë të garantohet se ato nuk rrjedhin nga aktivitete kriminale; deklarohen nga pronari i tyre aktual (përfitues) dhe; rezultojnë nga të ardhurat të cilat nuk i përkasin një periudhe tatimore që ose është ende subjekt i deklaratës tatimore ose subjekt i një kontrolli tashmë të kryer tatimor, thuhej ndër të tjera në një dokument të komisionit të publikuar në gusht./MONITOR