Banka e Shqipërisë njoftoi se në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ka miratuar një rregullore të re për regjistrin e kredive, i cili raporton për historikun e kredive për secilin kredimarrës dhe është një instrument i rëndësishëm në vendimin e çdo banke për të dhënë hua për një individ apo biznes.
Rregullorja për “Për funksionimin e Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të” ka si qëllim të rregullojë funksionimin e sistemit të ri të Regjistrit të Kredive, kushtet dhe procedurat e nevojshme për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave, si dhe tarifat për përdorimin e të dhënave që raportohen pranë këtij sistemi. Regjistri i Kredive është ndërtuar në vitin 2008 dhe gjatë periudhës së fundit Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një projekt për përmirësimin e tij, i cili do të fillojë funksionalitetin në dhjetor 2020.
Sistemi i ri do të ofrojë një infrastrukturë teknologjike të zhvilluar, do të rrisë eficiencën e përdorimit të tij nga të gjitha grupet e interesit, si dhe do të adresojë problematikat e ngritura nga bankat, institucionet financiare jo banka, shoqëritë e kursim kreditit dhe unionet e tyre.
Po në mbledhjen e fundit, banka vendosi miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarive financiare shtesë nga Banka Amerikane e investimeve sh.a.
Në bazë të këtij miratimi, Banka Amerikane e investimeve sh.a do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të:
- tregtimit për llogari të saj ose për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar (OTC) ose ndryshe, si më poshtë:
- pjesëmarrjen në emetimin e të gjitha llojeve të letrave me vlerë, duke përfshirë nënshkrimin dhe vendosjen si agjent (si publik, ashtu edhe privat) dhe kryerjen e shërbimeve lidhur me këto emetime;
- shërbimeve këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse për veprimtarinë e mësipërme duke përfshirë referencën e kredisë dhe të analizës, kërkimin dhe këshillimin në lidhje me investimet dhe portofolin si dhe këshillimin mbi blerjet e mbi strategjinë dhe ristrukturimin e shoqërive.
Një tjetër vendim i bankës lidhet me Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarive financiare shtesë nga Banka Credins sh.a.
Në bazë të këtij miratimi, Banka Credins sh.a do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të:
- marrjes së angazhimeve;
- tregtimin për llogari të saj ose për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar (OTC) ose ndryshe, si më poshtë:
- produkte derivative (instrumente derivative), duke përfshirë, midis të tjerave, kontrata të së ardhmes (futures) dhe kontrata me opsione (options);
- instrumente të tjera të negociueshme dhe aktive financiare;
- pjesëmarrjen në emetimin e të gjitha llojeve të letrave me vlerë, duke përfshirë nënshkrimin dhe vendosjen si agjent (si publik, ashtu edhe privat) dhe kryerjen e shërbimeve lidhur me këto emetime;
- ndërmjetësimin për transaksionet monetare të mëposhtme:
- administrimin e aktiveve të tilla, si administrimi i parave dhe i portofolit, administrimi i fondeve;
- shërbimin për kompensimin dhe shlyerjen e pagesave të aktiveve financiare, duke përfshirë letrat me vlerë, produktet derivative dhe instrumente të tjera të negociueshme;
- sigurimin dhe transferimin e informacionit financiar, si dhe përpunimin e të dhënave financiare e të programeve që kanë lidhje me të, nga furnizuesit e shërbimeve të tjera financiare;
- shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse./MONITOR