Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion” rrëfeu se pas përplasjes së dy grupe kriminale rivale në Elbasan, vetëm brenda dy vitesh rezultojnë 14 të vrarë. E gjitha kjo ka ndodhur si pasojë e zhdukjes së 50 kg drogë në Londër.
Gjithashtu nisur nga vrasja e fundit e Arjan Spahiut pak ditë më parë në Belgjikë, Hoxha bëri edhe një retrospektivë të ngjarjeve.
“Nëse kujtohemi pas masakrës së Bradasheshit ne kemi bërë një emision. Kam thënë se në Elbasan ka dalë një grup i ri, që pas çdo atentati nuk digjnin makina, por i zbërthenin ato. Ky grup vrasësish nuk linte asnjë provë. Bilanci shkoi në 3 të vrarë, pastaj pati 2, pastaj pati një tjetër në Greqi dhe po ashtu u ekzekutua njëri që sapo kishte ardhur nga Brazili. 2019 është mbyllur 6 -0 për njërën palë, për 50 kg që ishin zhdukur në Londër.
Çfarë ndodhi në 2020?
Në 3 mars kemi 2 të vrarë në Durrës. Të dy kishin servis makinash. Në prill u vranë vëllezërit Haxhiu, pronarë servisi. Çfarë po ndodhte? Po vriteshin pronarët e serviseve ku çmontoheshin makinat.
Sot pas dy vitesh janë 7 me 7. Bilanci është 14 të vrarë. Njër grup ka të vrarë drejtuesin, vëllanë e drejtuesit në burg dhe zëvendësin e drejtuesit të vrarë. Krahu tjetër ka goditur në Bruksel trurin, Arjan Spahiu. Grupi tjetër janë një grup, drejtuesit e të cilëve qëndrojnë jashtë Shqipërisë. Kanë vetëm një datë, kanë hyrë për 4 orë në Rinas dhe janë larguar”, tha Hoxha