Kosova javën e fundit ka shtuar masat parandaluese ndaj Covid-19, si pasojë e një rritje të numrit të infektimit. Ndërkohë, ditën e sotme është raportuar një numër i lartë automjetesh që janë drejtuar nga Kosova drejt Shqipërisë, për të kaluar fundjavën.
Sipas mediave të Kosovës, pika kufitare e Morinës ka pasur një fluks të lartë mjetesh duke krijuar edhe radhë të gjata. Policia kufitare e Morinës ka konfirmuar duke filluar nga ora 9 e mëngjesit kanë kaluan rreth 1700 automjete dhe rreth 4700 qytetarë të Kosovës drejt Shqipërisë.
Bëhet e ditur, se mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në Shqipëri, duke përfituar edhe nga koha e mirë, por dhe nga masat kufizuese për pandeminë më të lehta, krahasuar me ato që ka marrë qeveria e Kosovës.
Sakaq, që prej fillimit të pandemisë në Kosovë janë regjistruar 41.777 raste pozitive, ndërsa 1.073 persona kanë humbur jetën. Ndërsa raste aktive të infektimit janë 13 mijë e 561.