Trump do të rishfaqet për takimin e tij të parë pas zgjedhor në Georgia. Takimi ka si synim tërheqjen e vëmendjes kombëtare për atë që luhet në këtë shtet. Në Georgia do të votohet në 5 janar për të zgjedhur dy senatorë, dhe nga ky rezultat do të varet dhe mazhoranca e senatit.
Rezultati më i mundshëm janë dy fitore republikane, pra një mazhorancë e së djathtës 52 me 48.
Një mrekulli demokratike do të çonte në një barazim absolut 50 me 50, në këtë rast do të jetë zëvendës presidentja Kamala Harris që do të shtonte votën e cila do të thyente barazimin.
Kjo do të hapte një skenar ndryshe duke shtuar lirinë e manovrave për Biden. Mbetet të shihet se çfarë efekti do të ketë Trump në këtë fushatë, nëse ndërhyrja e tij mund të mobilizojë bazën dhe të ndihmojë partinë e tij të ruajë një bastion të rëndësishëm pushteti.
Baza e tij vazhdon të japë donacione për Trump, duke bërë që të mbledhë 495 milion dollarë në një muaj e gjysmë. Këto para duhet të shërbejnë për betejën gjyqësore për përmbysjen rezultatit të votimeve të 3 nëntorit.
Tashmë ky thesar lufte është i vlefshëm për qëllime të tjera. A ka filluar që tani gara për presidencialet 2024? Zërat për planet sekrete të një njeriu i cili është në gjendje të bëjë çdo gjë për të mos u cilësuar ‘humbës’, sa vijnë e shtohen.