Një grup artistësh qëndrojnë prapa monolitëve misterioz që ditëve të fundit janë shfaqur në vende të ndryshme të botës, kurse skulpturat e metalta tani janë ofruar për shitje në ankand.
Siç raportojnë mediat botërore, grupi “Most Famous Artist” është shfaqur në Instagram duke postuar fotografi të monolitëve, duke pretenduar se ato tani kushtojnë 45 mijë dollarë, transmeton Telegrafi.
Gjithçka filloi më 18 nëntor, kur një strukturë e pazakontë e metalit u shfaq në mes të shkretëtirës në Utah, ku më pas këtë zonë e vërshuan një numër i madh i vizitorëve që dëshironin të shohin për çfarë bëhet fjalë. Menjëherë filluan të qarkullojnë teori se prapa saj qëndrojnë jashtëtokësorët.
Pas dhjetë ditëve, monoliti u zhduk në rrethana misterioze ashtu siç edhe ishte shfaqur, derisa më vonë u mësua se atë e kishin larguar katër banorë të asaj zonë që ishin të brengosur se numri i madh i vizitorëve do të shkatërrojnë bukuritë e atij rajoni, që për vite kanë qenë të paprekura.
Megjithatë, shpejtë u mësua se një monolit tjetër u shfaq në Rumani dhe më pas në Kaliforni. Megjithatë grupi i artistëve me seli në Santa Fe, ka zgjidhur të gjitha dilemat.
Postuan fotografitë e tre monolitëve, ku më pas një përdorues i Instagramit i pyeti: “A jeni ju?” – ku grupi edhe konfirmoi se ata qëndrojnë prapa gjithë kësaj situate konfuze. Madje zbuluan se ekziston edhe monoliti i katërt.
Themeluesi i grupit Matty Moo, nuk ka zbuluar shumë për instalacionet.
“Gjithçka çfarë mund t’ju them është se jemi të njohur për performanca të këtij lloji, kurse kësaj radhe ofrojmë objektet autentike. Nuk mund tani t’ju tregoj të gjitha fotografitë, por do t’i shihni së shpejti”, ka thënë Moo, shkruan Mirror.