Vijon të mbetet pa autor vrasja e efektivit të FNSH, Xhulio Prela. Një plumb në zemër i mori jetën 26-vjeçarit orët e para të mëngjesit të së shtunës në fshatin Gajush të Lezhës.
ABC News raporton se mungesa e dëshmitarëve okularë të ngjarjes e bën më të vështirë identifikimin e autorëve. Mësohet se hetuesit janë rikthyer në zonë për të analizuar kamerat e bizneseve, por edhe për të kuptuar nëse ka pasur dëshmitarë.
Ngjarja është ende e mbuluar me mister për grupin hetimor sepse nga të dhënat që janë zbuluar deri më tani Xhulio Prela nuk rezulton të ketë pasur konflikte dhe për rrjedhojë policia ende nuk ka një pistë të qartë.
Janë marrë në pyetje dhjetëra persona, por nuk kanë sjellë të dhëna të vlefshme. Mësohet se në polici janë shoqëruar persona të afërm, të cilët kanë komunikuar së fundmi me Prelën.
Të afërmit kanë thënë se 26-vjeçari nuk ka shfaqur shqetësimin e ndonjë konflikti të mundshëm. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe miqtë e tij, të fundit me të cilët pati kontakt, të cilët i mori nga Rinasi dhe i dërgoi në Shkodër.
Ndërkaq, po kryhen disa kontrolle edhe në Milot ku mendohet se janë larguar autorët, pas krimit. Do të duhet ende kohë për të analizuar gjithë këto lëvizje në mungesë të provave konkrete. Ndërkohë, nuk ka mbërritur ende përgigjia e analizave për shenjat e gishtërinjve, por dhe për tabulatet telefonike.
Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen.
Ai ishte duke udhëtuar nga Tirana për në Shkodër. Pasi u qëllua, makina tip “Volkswagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra duke përfunduar në anë të rrugës.