Kushtetuesja/ Kim: Procesi duhet respektuar, por jo abuzuar

0

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim i ka bërë thirrje Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që të vijojë procesin për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, deri në 31 dhjetor.

Përmes një mesazhi në Twitter diplomatja amerikane nënvizon faktin se nuk ka asnjë arsye që kjo gjykatë mos të funksionojë, pasi sipas saj është çështje vullneti.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të takohet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”, tha në mesazhin e saj ambasadorja Kim.

Reagimi i saj vjen pasi anëtarët e skualifikuar vazhdojnë të zvarrisin procesin. Gjykata Administrative e Apelit riktheu sërish në garë për Gjykatën Kushtetuese gjyqtaren Zhaklina Peto. Vendimi u mor ditën e sotme, teksa padia ishte depozituar më 3 dhjetor.

Peto fiton për të dytën here të drejtën për të vijuar garën për Kushtetuese nga Apeli Administrativ. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e skualifikoi për mos plotësim kriteresh, ndërsa tashmë duhet ta verifikojë për të tretën herë.

Artikulli i mëparshëmSot hidhet shorti/ Shqipëria dhe Europa do të njohin kundërshtarët e eliminatoreve të Botërorit
Artikulli i radhës‘Xhulio kishte kërkuar borxh’, gazetarja: Paguhej vetëm 19 mijë lekë të reja, asnjë shef…