Nga Andi Bushati
Ndërkohë që një pjesë e mirë e publikut shqiptar pret me padurim nga organet e reja të pjella prej reformës në drejtësi, të zbardhin të vertetën për koncesionet shumëmilionëshe të inceneratorëve, njeriu që akuzohet se qëndron pas tyre, Mirel Mërtiri dhe më pas kompania Albtek energy, janë hedhur në kundërsulm. Ata kanë vendosur të padisin mediat dhe gazetarët që kanë investiguar ndaj tyre.
Fillimisht e kishte radhën një nga burimet më serioze dhe më pak sensacionale të informimit, BIRN, Albania. Investigimi i kryer prej gazetarëve Besar Likmeta dhe Aleksandra Bogdani, në shtator të këtij, viti zbulonte lidhjen e pronares “de jure” të koncesionit të Elbasanit, Stela Gugallja me Mërtirin. Prej këtu, ky i fundit, pretendon se i “është cënuar personaliteti, duke i shkaktuar dhimbje të brendshme dhe vuajtje shpirtërore” dhe prandaj ka filluar procedurat gjyqësore.
Pre e një padie ka rënë edhe regjizori dhe gazetari hulumtues Artan Rama. Në shkrimin e tij, Rama pasqyronte një proces gjyqësor mes kompanisë që djeg plehra duke prodhuar edhe energji dhe Entit regullator të energjisë. Por fakti se në raportimin e tij Rama ka përdorur epitete që shprehin gjykimin e tij si “prapaskena”, “abuzim”, “larg vëmendjes publike”, “po merr jetë”, po ‘digjen’ paratë tona etj, është quajtur nga koncesionari si një mëkat që duhet dërguar para gjykatës.
Në të dy rastet të akuzuarit i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe janë zotuar se do të mbrojnë në proces faktet dhe opinionet që kanë paraqitur. Qoftë dhe dikush me kulturë të mangët juridike po ti lexojë ato shkrime (linqet lart) e ka të lehtë të kuptojë se mes atyre rreshtave nuk ka ndonjë krim. Pra në këtë kuptim mbrojtja e tyre nuk është e nevojshme.
Por këtu çështja shtrohet se si gjithçka është kthyer përmbys dhe si është e mundur që kaq lehtësisht, të akuzuarit të kthehen në akuzues.
Natyrisht, me këtë nuk dua të them se mediat dhe gazetarët nuk duhet të japin llogari si gjithë të tjerët, para drejtësisë. Unë mendoj se kur gënjejnë, shpifin me qëllim dhe janë në sens të kundërt me interesin publik, ata duhet të paguajnë madje dhe më shumë se sa të tjerët.
Por, në këtë rast nuk është ky thelbi.
Sepse këto padi kanë gjithë brutalitetin dhe arrogancën e atyre që ndihen si partnerë të pushtetit.
Ato vijnë në një sfond të caktuar ngjarjesh.
Ato ndodhin në një kohë kur SPAK është bërë shurdh memec, për të dëgjuar kërkesat dhe informuar publikun se çfarë po bëhet me denoncimet që janë dorëzuar për koncesionet e inceneratorëve. Si gjithçka ka të bëjë me hetimin e mëkateve të mundshme të pushtetit, drejtësia e re po rezulton qesharake.
Ato marrin zemër në një kohë kur kryeministri i vendit, Edi Rama, në kulmin e akuzave i zhvendos mbledhjet elektorale të PS-së në mjediset e inceneratorit të Elbasanit për të dhënë sinjalin se cilët janë miqtë e paprekshëm të partisë.
Ato bëjnë përpara pasi e dinë se një pjesë të madhe të mediave i kanë tashmë në xhep, si propoganduese të reportazheve që u serviren me para në dorë.
Si dikush që në kohë të Berishës, është ndeshur, për shkak të profesionit, me proceset e klientëve pranë pushtetit, unë e njoh nga afër identikitin e këtyre paditësve, që i trimëron arroganca e ndarjes së parave me qeveritarët. I kam parë sy më sy edhe kur sillen si bufonë agresivë edhe kur legenosen pasi rrëzohen bashkë me të fuqishmit e radhës.
Sesa reale janë këto procese i kanë ndjekur në fakt gjithë shqiptarët, që kanë vënë re si si drejtësia dënon fillimisht kritikët e qeverisë dhe si në fund u jep të drejtë të parëve, kur të dytët përmbysen nga kolltuku.
Pra, në këtë kuptim, as proceset e fundit nuk përbëjnë ndonjë rrezik afatgjatë për gazetarët e akuzuar. E drejta është me ta dhe kjo do të konfirmohet edhe ligjërisht.
Prandaj e rëndësishme në këtë histori nuk është fati i tyre personal, por shembulli për të kuptuar se çfatë po ndodh. Se si në kohën kur pushteti ka projektuar një nga ligjet më represivë për mediat, kur kryeministri bën thirrje publike për të goditur dhe shpërfillur ato, dikush i akuzuar si klient i tij, po vendos në punë inceneratorët, që sëbashku me plehrat dhe paratë tona, ti vërë zjarrin edhe atyre pak të vërtetave që duan shumë mund të dalin në sipërfaqe.
A mos vallë ky është sinjali i parë që tregon se përse Rama po këmbëngul në ligjin anti perendimor të “anti-shjpifjes”? A mos kjo është prova, se po tenton të përdorë koncesionarët dhe për një qëllim të dytë, larjen e hesapeve me kritikët e qeverisjes së tij?
Janë këto procese që ndofta do të tregojnë nëse kemi kapërcyer në një fazë të re të kapjes së sistemit: nga ajo kur njerëzit paranë pushtetit ishin të paprekshëm, në atë kur ata e përdorin drejtësinë për të goditur të tjerët që nuk u binden. /LAPSI.AL