Historia/ Nga justifikimi i dhunës policore te manipulimi i vrasjes së Klodian Rashës

0

Megjithëse pranoi që efektivi i Shqiponjave me inicialet N.H shkeli ligjin, kur i mori jetën Klodian Rashës, Policia e Shtetit tentoi të ngrejë një alibi paralele në mbrojtje të tij. Tentativa e manipulimit dallohet jo vetëm në detajet që iu përcollën medias, por edhe nga veprimet hetimore. Por si çdo alibi e sforcuar, varianti i policisë ka disa pika “që fusin ujë”.

Faktet e rreme në njoftimet për median

1) Në njoftimin e parë, policia tha se Klodian Rasha “është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri” Nga ky përshkrim i policisë duket sikur në momentin që efektivi i Shqiponjave N.H qëlloi me armë, Klodian Rasha i kishte drejtuar një pistoletë. Por më vonë rezultoi se pistoleta, u gjet gati 100 metra larg vendit ku Klodian Rasha mbeti i vrarë dhe se 25-vjeçari nuk ishte i armatosur në momentin që ndërroi jetë. Edhe familjarët thanë se ai ishte i paarmatosur dhe se nuk kishte asnjë armë.

2) Një detaj tjetër, që tenton justifikimin e policit vrasës, duke manipuluar dinamikën e ngjarjes është në fjalinë në vazhdim. “I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital”. Por shikoni fotot më poshtë. Ato tregojnë vendin ku u vra Klodian Rasha.

Në mbrëmje, gazetari Spartak Koka dhe xhaxhai i viktimës kanë shpjeguar dinamikën e ngjarjes. Por ajo që vihet re është se rruga ku po qëndronte Klodian Rasha është krejtësisht e ndriçuar. Edhe hyrja e rrugicës ku mbeti i vrarë 25 vjeçari, është më pak e ndriçuar, por polici ka qëlluar vetëm 4 metra larg 25 vjeçarit duke e vrarë atë.

3) Në të njëjtën fjali të njoftimit, ka një tjetër detaj që rezulton i pavërtetë. Aty thuhet se “ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital”. Por me një plumb në kokë dhe me një plumb tjetër që i preku aortën e zemrës, 25 vjeçari vdiq në vend thanë familjarët. Gazeta Panorama që u interesua pranë Spitalit të Traumës, raportoi sot se mjekët thanë se trupi i të riut mbërriti i pajetë, ndryshe nga sa pretendon policia.

4) Akoma me flagrant bëhet tentativa e manipulimit të ngjarjes në njoftimin e SHÇBA, sipas së cilës Klodiani “është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij”
Përshkrimi i ngjarjes është manipulativ. Sepse Klodian Rasha u qëllua pas shpine, ndërsa vraponte drejt shtëpisë dhe nuk pati asnjë “përballje” me policin N.H.

5) Mbetet e paqartë se përse hetimet u kryen nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave dhe jo nga Prokuroria e Tiranës. Në përfundim të hetimeve, SHÇBA nxitoi të formulojë akuzën për policin e Shqiponjave N.H, “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Por duke qenë se Klodian Rasha ishte i paarmatosur dhe u qëllua duke vrapuar rezulton se polici nuk ka qenë në kushtet e mbrojtjes, sepse nuk ka pasur asnjë sulm të padrejtë, të vërtetë dhe të çastit, sic parashikon ligji.

Nga justifikimi i dhunës tek alibia e vrasjes

Nën drejtimin e dyshes Llëshaj-Veliu, policia e shtetit ka një histori abuzimi dhe dhune ndaj qytetarëve, por po ashtu, e shoqëruar me një histori justifikimesh dhe relativizimi nga ana e eprorëve për policët që kanë abuzuar me detyrën. është flagrant momenti kur dhjetëra të rinj u rrahën nga policia në protestën paqësore kundër shembjes së godinës së teatrit kombëtar.

Të ulur në krah të godinës së Ministrisë së Brendshme të rinjtë u dhunuan nga policia dhe u shoqëruan në komisariate duke u tërhequr zvarrë dhe duke u rrahur nga policët. Skenat e dhunës u shfaqën në të gjitha ekranet e mediave, por veprimet e policëve u justifikuan nga Ministri i Brendshëm me këto fjalë:

“Policia nuk shkoi vetë më 17 maj tek Teatri, por u thirr në përcaktim të asaj që e detyron ligji. Policia nuk shkoi si palë, por si autoritet ligjzbatues. Policia i përgjigjet çdo pronari që i është zaptuar prona. Në iu përgjigjem Bashkisë së Tiranës, që është pronare e Teatrit. Teatri ishte uzurpuar. Policia kishte dy rrugë, të zbatonte një detyrim ligjor dhe t?i përgjigjej bashkisë, ose të mos e zbatonte atë. Ka thirrje patetike dhe histerike që i drejtohen policisë për të braktisur detyrën”.

Mes qindra të rinjve që u dhunuan në protestën kundër shembjes së Teatrit ishte edhe gazetari Alfred Lela. (VIDEO KETU) Ai tentoi të ndalte dhunën ndaj deputetes së LSI-së, kur u tërhoq zvarrë nga policët. Në përballjen me kryeministrin Rama për brutalitetin policor, shefi i qeverisë justifikoi sërish policinë, ndërsa ngrinte pyetjen“Ku është dhuna?”:

“Pyetja e ime e parë është çfarë kërkon qytetari Lela aty? E di zt.Lela që sipas ligjit, policia e shtetit në kushtet kur përballet me turmë protestuesish nuk njeh individë, njeh dhe komunikon vetëm me drejtuesit e një organizimi. Pse e kapërceu lajmin Alfredi? Kishte ndonjë lajm atje? Ku është dhuna? Që e morën përkrahësh siç e meritonte dhe e shtrinë përtokë për ta neutralizuar pa përdorur shkopinj gome. Dhuna është goditje. E shoh si një aksion totalisht mbi bazë të procedurës. Ta nxjerrë zt.Lela një protestë ku protestuesit bëjnë këto. Ka hyrë përtej perimetrit të lejuar”.

Me këto sheaf që ka, nuk kish si të ishte ndryshe edhe Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Rrahja e një 15 vjeçari që doli nga shtëpia gjatë karantinës nga një polic, u pasua me një deklaratë skandaloze që jo vetëm përligjte veprimin e policit, por shkonte më tej dhe sulmonte nënën e djalit të dhunuar, përmes një videoje që më pas rezultoi e rreme.

“Por a është e vërtetë që djali i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja? Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistōletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, tha drejtori i policisë ndërsa i tregonte deputetëve filmimet e nënës së të miturit me një pistoletë në dorë, që më pas rezultoi të ishte marrë nga prapaskenat e një filmi.

Krimi që i mori jetën Klodian Rashës nuk është përgjegjësi kolektive. Këmbëzën e pistoletës nuk e tërhoqën as Ardi Veliu dhe as Sandër Lleshaj. Por është fakt se dhuna policore, rrahja e qytetarëve nga uniformat blu, abuzimi i tyre me detyrën ka gjetur gjithnjë mbështetje, justifikime dhe alibi, për t’iu shmangur përgjegjësisë. Deri natën kur polici me inicialet N.H mendoi se mund edhe të vrasë një djalë të ri, vetëm 25 vjeç, sepse nuk iu bind thirrjes së tij për të ndaluar. Dhe sërish, ata vazhdojnë të prodhojnë justifikime dhe alibi. Pikërisht për këto qëndrime, sot duhet të japin dorëheqjen dhe të mbajnë përgjegjësi për jetën e humbur të Klodian Rashës./lapsi.al

Artikulli i mëparshëmNdërron jetë në moshën 37-vjeçare zv/kryetari i bashkisë në Elbasan
Artikulli i radhësProtesta për vrasjen e Klodian Rashës, disa të lënduar tek Ministria e Brendshme, mes tyre ‘Stresi’ dhe një gazetar