Azerbajxhani është një nga destinacionet në zhvillim vitet e fundit. Kjo falë disa eventeve – si Çmimi i Madh i Formula 1 – i cili nisi ta bëjë të njohur vendin për pjesën tjetër të botës nëpërmjet televizionit – dhe Instragrammer, fotot e të cilëve kanë bërë kureshtarë njerëzit në internet.
Në vend ndihet era e ndryshimit dëshira për të zhvilluar turizmin rritet, me përfshirjen e një numri gjithnjë e më të madh destinacionesh – krahas kryeqytetit të famshëm, Baku, edhe qytete të tjera më të vogla, tashmë të pozicionuar mirë përgjatë itinerareve turistike, të tilla si Sheki, Trashëgimi e UNESCO-s, Gabala ose Quba.
Ndër vendet që shfaqen më shumë në Instagram, por ende pa turma turistësh, është Balakhani, një xhevahir i Azerbajxhanit.
Balakhani, në gadishullin Absheron, njihet si një nga vendet më të vjetra në botë për nxjerrjen e naftës. Pikërisht këtu, në vitin 1593, u hap pusi i parë dhe u ndërtua fabrika e parë për distilimin e naftës, më 1837. Kjo është arsyeja se pse kjo zonë ka qenë gjithnjë shumë e ndotur. Megjithatë, pas punëve të bonifikimit dhe rizhvillimit të zonës, Balakhani po ndryshon rrënjësisht imazhin, duke u prezantuar tashmë si një xhevahir i vogël i tokës kaukaziane.
Fshati është i pasur me monumente historike dhe vende kulturore, të cilave po u jepet vlerë gradualisht. Zyra e turizmit ka vendosur të promovojë Balakhani-n, duke përfshirë edhe banorët vendas. Këtë po e bën duke sistemuar rrugicat e qendrës historike, duke rilyer me ngjyra të ndritshme grilat e shtëpive – shumë prej të cilave të ndërtuara me gurë, – duke vizatuar murale argëtuese në fasadat dhe hyrjet e shtëpive, të zbukuruara, me objekte tradicionale ose moderne, disa kënde të qytetit. Balakhani industrial, dikur gri, sot është një qytet i gjallë.
Ndër vendet më të bukura është Coffee Shop, tërheqës si nga brenda edhe nga jashtë. Por në Instagram janë të famshme edhe fotot e shtëpive të bardha e blu, muralet dhe elementet dekorative që shfaqen diku këtu e diku atje, si shtëpitë e zogjve të vegjël ose gomat e makinave të varura në mure. Me pak fjalë, Balakhani ka ditur të rishpikë vetveten dhe është një shembull i mirë sesi mund të ndryshohet historia, edhe me pak gjëra.