Me një lëvizje të guximshme rregullatorët e ligjit antitrust hodhën në gjyq Facebook, duke argumentuar se gjigandi i mediave sociale duhet të shpërbëjë monopolin. Shanset janë në anën e rregullatorëve, sipas ekspertëve.
Mbështetur nga 48 përfaqësues ligjorë nga shtete dhe distrikte amerikane, Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA (FTC) argumentoi të mërkurën se korporata e mediave sociale Facebook kishte dëmtuar zgjedhjen e konsumatorit dhe privatësinë e të dhënave të përdoruesit me praktikat e veta të padrejta të biznesit. Në qendër të konfliktit janë pyetjet lidhur me motivet e gjigandit të teknologjisë për të blerë platformën e postimit të fotografive Instagram më 2012 dhe aplikacionin e mesazheve WhatsApp më 2014.
FTC argumenton se Facebook bleu dy aplikacionet në një përpjekje për të ruajtur dominimin e vet në treg. Për këtë arsye, kompania duhet të shpërbëhet.
Humbja e Instagram dhe WhatsApp do të ngrinte pyetje serioze në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të Facebook. Aplikacionet popullore kishin për qëllim të luanin një rol të rëndësishëm në të ardhmen e Facebook-ut, përdorimi i të cilave është rritur në vitet e fundit.
Sfidimi i Facebook-ut përpara një gjykate federale do të jetë një ndërmarrje serioze, veçanërisht duke marrë parasysh se rregullatorët i rishikuan marrëveshjet në atë kohë dhe lejuan blerjen e aplikacioneve. Por lëvizja nuk është pa precedent dhe ekspertët besojnë se proceset gjyqësore duhet të vazhdojnë.
‘Rrjeti’ origjinal social
Facebook mund ta gjejë veten të shpërbërë ashtu si kompania amerikane e telekomunikacionit AT&T ishte në fillim të viteve 1980, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut Josh Stein, një nga përfaqësuesit ligjorë të përfshirë në hetim.
E themeluar në fund të shekullit të 19-të, AT&T (Kompania Amerikane e Telefonit dhe Telegrafit) lulëzoi gjatë shekullit të 20-të në një rrjet të kompanive për mundësimin e komunikimit të shpërndara nëpër Amerikën e Veriut. Me të u krijua një monopol telekomunikacioni i njohur si Sistemi Bell, duke mbajtur emrin e themeluesit të kompanisë, njeriu i lidhur me shpikjen e telefonit, Alexander Graham Bell.
Rregullatorët e antitrustit vazhdimisht ndoqën kompaninë për abuzimin e statusit të saj të monopolit. Më në fund, në 1982, duke u përballur me mundësinë e humbjes përfundimisht në gjykatë, AT&T ra dakord të ndahej në shtatë kompani më të vogla, shumë prej të cilave operojnë edhe sot.
Microsoft pati gati një fat të ngjashëm në vitet 1990 kur një gjykatë urdhëroi kompaninë e teknologjisë që të ndajë njësitë e saj të programeve dhe sistemeve operative në dy njësi. Firma i shmangej këtij fati me një zgjidhje financiare, por asnjëherë nuk u rikuperua si duhet nga kjo pengesë.
Gjigandët e teknologjisë të lënë pas dore
Pyetja tani është nëse rregullatorët mund të frenojnë fuqitë digjitale që kanë lejuar të zhvillohen të pakontrolluara gjatë dy dekadave të fundit. Në fillimet e tyre, Facebook, Google & co të Silicon Valley nuk hasën vërtetë në pengesa prej entit rregullator. Përkundrazi, shumë në pushtet i lavdëruan ata si novatorë, duke thënë se ata do ta çonin SHBA-në drejt dominimit të teknologjisë globale dhe do të krijonin mijëra vende pune përgjatë rrugëtimit.
Këto kompani dhanë rezultate në të dyja anët. Dhe ky mentalitet i një mënyre tjetër ishte ndoshta pjesërisht përgjegjës për vendimin e FTC për të lejuar blerjet e WhatsApp dhe Instagram.
“Blerjet tona të Instagram dhe WhatsApp i kanë përmirësuar fuqishëm shërbimet e tyre dhe i ndihmuan ata të arrijnë shumë më tepër njerëz. Ne konkurrojmë shumë dhe konkurrojmë drejt,” u tha punonjësve themeluesi dhe CEO Mark Zuckerberg në përgjigje të padive. “Jam krenar për këtë”.
“Qeveria tani dëshiron të dalë në një konkluzion të ri, duke dërguar një paralajmërim tronditës për biznesin amerikan, se asnjë shitje nuk është kurrë përfundimtare,” tha Këshilltari i Përgjithshëm i Facebook Jennifer Newstead në një deklarim.
Atmosfera për “Big Tech” sigurisht që është ftohur. Gjashtë vjet dhe të paktën po aq skandale që nga blerja e WhatsApp, opinioni publik dhe politik kanë filluar të acarohen me gjigandët e Silicon. Vetëm këtë javë, organet rregullatore në të gjithë globin kanë dalë me ligje dhe gjoba për të goditur Facebook, Apple, Google dhe Amazon. Në tetor, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së paraqiti padinë e tij më të madhe antitrust në dekada, duke akuzuar Google për abuzimin e pozicionit të tij ndalues në kërkimin dhe reklamimin në internet.
Paditë luajnë lojën e gjatë
Çështjet gjyqsore të Facebook me apelin e qartë për t’u shkëputur nga WhatsApp dhe Instagram dallojnë nga ato që kanë të bëjnë me Google. Ndërsa një veprim i tillë drastik nuk do të ketë gjasa të ndodhë në afat të shkurtër, njohësit e kësaj çështjeje mendojnë se proceset gjyqësore mund të hedhin bazat e shpërbërjes së Facebook.
“Ekziston një shans mjaft i fortë që një gjykatës të gjejë shkelje të ligjeve antitrust,” i tha Bloomberg News profesori i së drejtës antitrust në Universitetin e Miamit John Newman. Një ndarje do të ishte lëvizja e “paracaktuar” e radhës, shtoi ai.
“Është e vështirë të fitosh një proces antitrust dhe ky rast nuk është ndryshe”, shtoi profesorja e drejtësisë në Universitetin Vanderbilt Rebecca Allensworth. Por sa i përket rasteve të antitrustit, qeveria ka argument të fortë, tha ajo.
Klima politike nuk pritet të bëhet më miqësore tani për tani. Gjigandët e teknologjisë tashmë janë përballur me një presion të madh nën administrimin e Trump dhe Presidenti i zgjedhur i SHBA Joe Biden ka thënë, që ndarja e kompanive si Facebook duhet të merret në konsideratë. Fakti që tema është bërë një çështje bipartizane në SHBA është ndër shqetësimet më të mëdha për ata në Silicon Valley.
“Këto procese gjyqësore shënojnë një pikë kthese të rëndësishme në betejën për të frenuar monopolet e “Big Tech” dhe për të ringjallur zbatimin e antitrustit,” i tha agjencisë së lajmeve AP Alex Harman, avokati i politikës së konkurrencës për Qytetarin Publik, një grup jo-fitimprurës i avokatëve të konsumatorit.
Paditë e reja kundër Facebook nxjerrin në pah qëllimin e qartë si dhe impulsin që mund ta ndryshojë ekuilibrin e pushtetit në fushën digjitale. Javën e ardhëshme, Komisioni Evropian ka në plan të publikojë legjislacionin e ri në lidhje me shërbimet digjitale dhe ekonominë digjitale në Bashkimin Evropian. Edhe prej kësaj priten pasoja të mëdha për Facebook.