Ndërsa pandemia e koronavirusit vazhdon të shkaktojë vdekje dhe rrënim ekonomik në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë aplikacionet në telefonat e tyre inteligjentë për të mësuar më shumë rreth rreziqeve me të cilat përballen nga virusi.
Dy studentë nga Universiteti Carnegie Mellon në Pensilvani kanë ndërtuar një aplikacion iteraktiv që ofron të dhëna në kohë reale për rastet e infektimeve dhe të vdekjeve nga koronavirusi për çdo vend të botës. Navid Mammon është njëri nga krijuesit e aplikacionit.
“Në faqen e internetit do të gjeni një glob dhe mund të klikoni në çdo vend të botës ku shfaqen rastet më të fundit aktive, numri i vdekjeve dhe atyre që janë shëruar në atë vend.”
Ky është aplikacioni parë interaktiv për COVID-19 që ofron të dhëna në kohë reale në një format tre-dimensional, thotë bashkë-krijuesi Gabriel Rasskin.
“Ka aplikacione të tjera që ofrojnë harta dy-dimensionale, por ne besojmë se është më mirë të shohën gjithçka në tre dimensione dhe ta kuptosh më lehtë.”
Edhe mjeket Liz Goldberg dhe Megan Ranney nga Universiteti Brown në Rhode Island kanë ndërtuar një aplikacion.
Aplikacioni ‘My Covid Risk’ u ndërtua për të ndihmuar njerëzit të vlerësojnë rrezikun. Liz Goldberg është mjeke e urgjencës dhe krijuese e aplikacionit.
“Para se të shkojë diku, përdoruesi shton të gjitha të dhënat që mendon se do të hasë, si përshembull sa njerëz do të ketë aty, nëse përdoren maskat, sa e madhe është hapësira dhe aktivitetet që do bëhen. Pastaj aplikacioni të ofron një ide se cili do të ishte rreziku i infektimit.”
Mjekja Megan Ranney thotë se donin të ndihmonin njerëzit të llogarisnin rrezikun që paraqet kryerja e veprimeve të përditshme.
“Si mjeke të urgjencës, zonja Goldberg dhe unë vazhdimisht pyetemi nga miqtë dhe familjarët se sa e rrezikshme është bërja e një aktiviteti. Bazuar në shkencë ne përpiqemi të ofrojmë këshillat tona më të mira.”
Profesori Rajat Mittal me Universitetin Johns Hopkins ka krijuar një formulë për të ndihmuar në parashikimin e transmetimit të koronavirusit në rrugë ajrore.
Por ai nuk po e kthen formulën e tij në një aplikacion. Aplikacionet, thotë ai, mund të tregojnë rrezikun për të bërë diçka si vajtja në dyqan apo një takim me miqtë, por nuk janë garanci kundër infektimit.
“Aplikacioni nuk të jep një vlerësim absolut të rrezikut, por një përllogaritje relative. Përshembull, kur dikush shkon në një mjedis me pesë njerëz krahasuar me një mjedis me 20 njerëz, sa rritet rreziku? Vlerësimi relativ është çelësi dhe mjafton që të nxitë njerëzit të veprojnë me përgjegjshmëri.”
Ndërsa bota lufton ndaj pandemisë, njerëzit gjithnjë e më shumë po i drejtohen teknologjisë dhe aplikacioneve për të mësuar më tepër rreth rreziqeve dhe mbrojtur veten nga virusi.