OKB-ja në pritje të riangazhimit nga qeveria e re Biden

0

Pas katër viteve të politikës së Presidentit Trump “Amerika e Para”, Presidenti i zgjedhur Joe Biden thotë se administrata e tij do të rikthejë rolin e vendit udhëheqës në rrafshin global, duke u ngjallur kështu shpresat diplomatëve të OKB-së dhe vëzhguesve se Amerika do t’i rikthehet multilateralizmit dhe angazhimit në këtë organizatë botërore.

Kur prezantoi muajin e kaluar zyrtarët e tij kryesorë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se ata përfaqësojnë “rikthimin e Amerikës”.

“Gati për ta udhëhequr botën, jo për t’u tërhequr prej saj. Gati për t’u përballur me kundërshtarët tanë dhe jo për të refuzuar aleatët tanë. Dhe gati për të mbrojtur vlerat tona”, tha Presidenti i zgjedhur Biden.

Në Kombet e Bashkuara, administrata Trump ka shkurtuar qindra miliona dollarë fonde për programet, përfshirë misionet paqeruajtëse, refugjatët palestinezë dhe shëndetin riprodhues të grave. U tërhoq nga agjensi të OKB-së si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe u largua nga një marrëveshje madhore për ndryshimet klimatike.

Zoti Biden mund të përftojë mbështetje ndërkombëtare duke zhbërë me shpejtësi disa prej politikave të Presidentit Trump.

Ekspertët thonë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të ketë më shumë hapësira tek administrata e re.

Mendoj se do ta shohim zotin Guterres duke paraqitur disa plane mjaft ambicioze gjatë vitit që vjen se si të luftohet ndryshimi i klimës dhe si të luftohet pabarazia. Sepse në një kuptim, ai është i çliruar për të promovuar ide ambicioze për bashkëpunimin ndërkombëtar pas një periudhe në të cilën ai duhej të ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm për të shmangur përplasjen me Trump-in“, thotë Richard Gowan, i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

E emëruara e zotit Biden për të qenë ambasadore në OKB dhe anëtare e kabinetit të tij është diplomatja e karrierës Linda Thomas-Greenfield.

Amerika është rikthyer. Multilateralizmi është kthyer. Diplomacia është rikthyer”, tha zonja Greenfield.

Diplomatët e kanë mirëpritur emërimin e saj publikisht dhe privatisht.

Mendojmë se ajo do të sjellë një përvojë të madhe – mbi tre dekada në diplomaci – dhe kjo është ajo që na duhet tani. Tani, ne kemi nevojë për aftësi diplomatike, pjekuri dhe vetëdijen se kemi një kauzë të përbashkët, të gjithë ne“, thotë Jerry Matjila, ambasador i Afrikës së Jugut në OKB.

Rikthimi apo jo tek marrëveshja bërthamore me Iranin do ta sprovojë me shpejtësi administratën e re.

Presidenti i zgjedhur pranon se kemi një rrugëtim të vështirë përpara. Nëse Irani do t’i hynte zbatimit të plotë të marrëveshjes së vitit 2015, atëherë Shtetet e Bashkuara do të bëhen sërish pjesë e marrëveshjes, por vetëm për të filluar negociatat vijuese – dhe në atë pikë do të fillojnë të shfaqen vështirësitë”, thotë Randa Slim, nga Instituti i Lindjes së Mesme.

Në Kombet e Bashkuara, Kina u mobilizua për të zgjeruar ndikimin e saj. ndërsa administrata Trump u tërhoq.

“Biden, mendoj se do të dëshirojë të kufizojë ndikimin kinez, por e di se në disa mënyra, është e nevojshme të punohet me Pekinin”, thotë zoti Gowan.

Si aleatët, ashtu edhe kundërshtarët, janë të etur për të parë se si zoti Biden dhe e dërguara e saj në OKB do ta reflektojnë këtë udhëheqje të re të Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.

Artikulli i mëparshëmKolegji Elektoral vendos të hënën për zgjedhjet në SHBA, Trump insiston: Fitova me diferencë dërrmuese
Artikulli i radhësAplikacione që tregojnë rrezikun nga COVID-19