Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve ka identifikuar mungesën e shtrirjes së internetit me brez të gjerë në zonat rurale, si një nga boshllëqet më të mëdha që pengon zhvillimin e Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare, në vitet e fundit, vendi ynë ka bërë progres në zgjerimin e penetrimit broadband, por ndarja dixhitale mes zonave rurale dhe urbane vazhdon të jetë e lartë.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), raporton se interneti me brez të gjerë vlerësohet të ketë penetrim në nivelin 15.6%, i matur ndaj numrit të përgjithshëm të popullsisë. Sipas AKEP, në qendrat urbane, shërbimi i internetit ka arritur në rreth 25% të popullsisë, ndërsa në zonat ruralem penetrimi është në nivele shumë më të ulëta, me vetëm 5%. Diferencat janë gjithashtu mjaft të thella mes qarqeve të ndryshme të vendit. Tirana ka normën më të lartë të penetrimit të internetit në popullsi, me rreth 37%, ndërsa Dibra ka më të ulëtin, me 12%.
Pavarësisht hendekut, ende sot qeveria nuk ka një plan për të çuar internetin në ato zona ku operatorët privatë nuk kanë leverdi ekonomike për t’u zgjeruar.
Çështja kryesore që pengon zhvillimin e infrastrukturës broadband, në veçanti në zonat rurale dhe të largëta, është mungesa e mekanizmave financues, si dhe mungesa e stimujve të duhur për të investuar. Deri më sot, në Shqipëri nuk ekziston një fond për shërbimin universal dhe një mekanizëm për kontribut me fonde publike, nuk është dhënë ndihmë shtetërore për rrjete broadband dhe nuk ka buxhet publik të përcaktuar në nivel kombëtar ose vendor, për ndërtimin e infrastrukturës së këtij lloji.
Sigurimi dhe ndërtimi i infrastrukturës broadbnd është pothuajse 100% i varur nga investimet e sektorit privat, operatorëve të rrjetit të telekomunikacionit. Shtrirja e infrastrukturës së telekomunikacionit është e kushtueshme, veçanërisht në ato zona ku ka shumë pak ose aspak infrastrukturë të mëparshme, ku densiteti i popullsisë është i ulët, ose ku aksesi për shkak të vështirësive gjeografike, është tepër i vështirë.
Në këto zona, nga ana e operatorëve ka pak ose aspak nxitje për të investuar në infrastrukturë, sepse tarifat mesatare janë të ulëta dhe pritjet për një kthim nga investimi janë të dobëta, për shkak të mungesës së fuqisë blerëse.
Në planin kombëtar për zhvillimin e broadband, Ministria e Infrastrukturës sugjeron se duhet të realizohet kuadri i duhur ligjor dhe rregullator për nevojat për investime, duhet të rritet bashkëpunimi në të gjitha nivelet që promovojnë investimet në infrastrukturën dixhitale dhe më e rëndësishmja, siç parashikohet edhe nga BE, me anë të Udhëzimeve të reja për Ndihmën Shtetërore, duhet të krijohet një kuadër dhe mekanizëm për financimin publik.
Megjithatë, deri tani nuk është ngritur apo propozuar asnjë mekanizëm i këtij lloji.
Financimi i këtyre rrjeteve hyn në ato projekte që vendet fqinje kanë arritur t’i realizojnë me fondet e Bashkimit Europian. Por, deri më sot, Shqipëria nuk ka paraqitur për financim projekte të tilla dhe në përgjithësi, vendi ngelet një nga përfituesit më të pakët në rajon prej fondeve të BE-së./E.Shehu/MONITOR