Ku i gjeti armët kjo organizatë terroriste? Një studim i sapobotuar jep përgjigje për këtë pyetje. Në të flitet për një rrjet ndërkombëtar, që ka qenë në dispozicion të IS-it për vite me radhë.
Një bisedë telefonike me të cilën blihen gjashtë tonë krem alumini; një tregtar plehërash kimike që interesohet të gjejë 78 ton lëndë ushqyese; një sipërmarrje me qendër në Britaninë e Madhe që drejton lëvizjet nga SHBA dhe fatura për porosinë paguhet nga një biznesmen turk, që jep me qera makina luksoze.
Këto janë disa nga aktivitetet me të cilat organizata xhihadiste „Shteti Islamik”(IS) ka organizuar mbledhjen e arsenalit të armëve. Aktivitete që kanë mbetur pa u vëzhguar, sepse në fazën e parë të krijimit të „Shtetit Islamik” (IS), pak nga vëzhguesit e kanë pasur idenë e dinamikës, ambicies dhe rafinesës me të cilën punonte organizata xhihadiste.
IS krijoi me vendosmëri të madhe një rrjet furnitorësh dhe teknikësh që i dhanë mundësinë të mblidhte një arsenal të madh armësh. Kjo thuhet në studimin e sapobotuar nga Instituti londinez “Conflict Armament Research”. Me këtë arsenal armësh IS zgjeroi në mënyrë të vazhdueshme territoret e veta në Irak dhe Siri, sidomos duke filluar nga 2014-ta, para se të shkatërrohej pak nga pak vitet që pasuan nga aleanca ndërkombëtare e shteteve.
Qendër zona kufitare turko- siriane
Për furnitorët shumë e rëndësishme ka qenë zona kufitare turko- siriane, thotë studimi. Anëtarët e IS, shpesh me identitet të fallsifikuar, vendosnin kontakte me firma të ndryshme në këtë rajon dhe porositnin përbërësit e duhur për armët dhe lëndët eksplozive. Sipërmarrjet merrnin porositë, pa e ditur fare me çfarë klientësh kishin në fakt të bënin, theksojnë disa herë autorët e studimit.
“IS e ka mbajtur me qëllim këtë rajon si zonë të hapur ku mund të tërhiqej, sepse aty mund të organizoheshin bizneset përkatëse,” thotë Peter Neumann, profesor për studimet në çështjet e sigurisë në King’s College London. Kjo strategji u përgjigjet mësimeve të revolucionarëve të tjerë si Mao Ce Duni ose Che Guevara.
Identitete të maskuara
IS ka pasur mundësi ta mbajë ngritur për vite me radhë rrjetin e mbledhjes së armëve, sidomos për shkak të rafinesës së ndërmjetësve. Ata e kanë maskuar vazhdimisht identitetin e tyre. Komunikimi me firmat furnitore bëhej kryesisht me adresa të fallsifikuara emailash, nëpërmjet faqeve të internetit të palëve të treta dhe nëpërmjet audiosoftware-ve.
Pagesat bëheshin kryesisht nëpërmjet transferimit të parave në dorë me firmat e etabluara ndërkombëtare. Transferimet bëheshin shpesh në një rajon tjetër të botës, të ndryshëm nga rajoni ku bëhej porosia. Studiuesit e “Conflict Armament Research” i kanë ndjekur gjurmë të tilla deri në Azi.
Studimi tregon se një pjesë e madhe e armëve dhe pajisjeve luftarake ka ardhur nga burime të tjera nga ato që supozohej më parë, thotë Peter Neumann në intervistë me DW. Fillimisht mendohej se pjesa më e madhe e armëve vinin nga rajoni i Gjirit Persik. „Por faktikisht pjesët e armëve montoheshin vetë”, thotë Neumann në intervistën për DW. Përveç kësaj, është mësuar ndërkohë se ka ekzistuar edhe një burim tjetër, „stoqet e lëna nga ushtria irakiane dhe siriane, të cilat IS i mori për vete”.
“Flamujtë e kuq”
Nga raporti i „Conflict Armament Research”, mësohet se kërkimet për të gjetur burimet e armëve kanë qenë të mundimshme dhe me shpenzime të mëdha. Duheshin ndjekur gjurmët e blerjes ilegale të armëve dhe duheshin kontrolluar sa solide ishin ato. Studiuesit ndoqën një seri të tërë sinjalesh të mundshme. Nëse sinjalet për një rast të caktuar shtoheshin, atëherë rritej mundësia që të bëhej fjalë për biznese ilegale.
Tek sinjalet kryesore, të ashtuquajturat “Red flags” (flamuj të kuq) – bëjnë pjesë për shembull: Shfaqja e një klienti të ri, të panjohur deri në ato momente, firma e të cilit ndodhet në një rajon sensitiv, si për shembull territoret kufitare turko- siriane; porosi për materiale që nuk kanë të bëjnë ose kanë pak të bëjnë me biznesin kryesor të firmës; pagimi i faturës jo nga klienti vetë por nga një instancë e tretë; metoda tranferimi parash që fshehin identitetin e personit që ka bërë transferën, si dhe përdorimi i rrugëve të pazakonta për të bërë furnizimin.
Nuk është çudi që IS ka pasur mundësi të mbajë rrjetin e furnizimit me vite të tëra në tokën turke, thotë Peter Neumann. “Për Ankaranë, po ashtu si për shtetet e tjera dinamika e IS në periudhën e krijimit ka qenë befasi e madhe. Meqenëse IS nuk kreu ndonjë sulm me objektiv turk, qeveria i la xhihadistët të qetë.
Turqia nuk e shihte IS në atë kohë si armik të vetin. Përveç kësaj IS luftonte kundër kurdëve, të cilët i lufton edhe qeveria e Ankarasë. Edhe kjo ka qenë një arsye për ta lënë IS të bënte punën e vet. Ky qëndrim ndryshoi në vitin 2015, kur IS filloi të bëhej gjithnjë e më agresiv dhe më i fuqishëm.”
Rjete të shkatërruara
Rrjeti i tyre sot është shkatërruar. IS vazhdon ende përpjekjet për të mbledhur armë, por informacionet e qeverisë irakiane thonë se kjo organizatë ka vetëm armë të lehta, nuk ka armë të rënda ose të mesme, thotë studiuesi i terrorizmit Jassim Mohamad, i cili ka faqen e internetit “europarabtc.com”. “Mendohet se IS i ka humbur rrjetet e furnizimit dhe burimet financiare në gjithë botën,” thotë Mohamad në intervistë me DW.
Koalicioni ndërkombëtar për luftimin e IS si dhe aksionet e ndërmarra nga shumë qeveri në luftën kundër terrorizmit kanë bërë që rrymat financiare të kontrollohen mirë, thotë Mohamad. Po ashtu ndiqen me vëmendje modelet e lëvizjeve të xhihadistëve potencialë. “Kjo ka bërë që operacionet e IS të reduktohen në gjithë botën.”
Rrjetet vazhdojnë të ekzistojnë, thotë Mohamad. Por në Irak ato ndodhen vetëm tek strukturat kriminele që luftohen nga shteti. „Mendohet që IS nuk zotëron më teknologji të përparuar, armë kimike apo biologjike. Sepse ato kërkojnë infrastrukturë dhe ambient stabil. IS nuk i ka më këto.”