Një i ri u arrestua, pasi u ngjit në krahun e një avioni të Alaska Airlines, në aeroportin e Las Vegas, të shtunën.
Fluturimi 1367 nga Las Vegas në Portland po përgatitej për ngritje nga Aeroporti Ndërkombëtar McCarran kur piloti vuri re një person që vinte drejt avionit dhe njoftoi kullën e kontrollit.
Autoritetet sqaruan se ai kishte kërcyer një gardh rrethues dhe kishte arritur te krahët e avionit. Video e shkrepur nga një pasagjer e tregon të riun të ulur dhe duke ecur në krahun e avionit pa këpucë. Ndërsa, oficerët e policisë i afrohen, ai rrëshqet dhe bie në pistë.
Avioni u kthye për një inspektim të plotë pas incidentit, thuhet në deklaratën e Alaska Airlines, e cila njoftoi po ashtu se fluturimi që ishte planifikuar të nisej në 12:30, u nis në 16:48 pasdite.