Diplomati i njohur, Agim Nesho, u shpreh se edhe pse kryeministri Rama kërkon të sigurojë zgjedhjet me këto veprime, ai sërish është në fund të karrierës politike.
“Veprimet e kryeministrit Edi Rama janë pjesë e një dëshpërimi që po e shoqëron fundin e qeverisjes së tij, që është edhe fundi i karrierës së tij politike. Ai është një njeri që nuk ndahet nga pushteti dhe këtë e tregon këmbëngulja për të mbajtur me çdo kusht pushtetin,” tha Nesho i ftuar në një studio televizive.
“Ky regjim kërkon të mbështetet gjithmonë e më shumë në një regjim policor.
Emërimi i një ushtaraku në krye të Ministrisë së Brendshme prishi marrëveshjen që në krye të institucioneve të shërbimeve të brendshme duhet të jenë civilë. Kjo është bërë me qëllim që të mos shohim veprime të tilla.
Tragjedia që ndodhi ishte rezultat i kësaj arrogance që tregoi pushteti.
Kjo protestë ishte një mënyrë organike për të shpërthyer, pasi pamë se ky regjim policor kishte vendosur telat e hekurave në parlament. Për herë të parë rrethohet parlamenti me tela me gjemba,” tha Nesho.