Vrasjet mes fiseve Gjini dhe Reçi, historia e ekzekutimeve seriale që mendohet se solli vrasjen e Anton Kelit

0

Një 51-vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të marte në qytetin e Rrëshenit. Viktima është Anton Keli. Ai mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital ku dhe ndërroi jetë.

Burime zyrtare të policisë thonë 51-vjeçari ishte në rrugë, kur u qëllua nga persona ende të paidentifikuar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:40.

Ndërkohë, në vendngjarje shkuan autoritetet policore, të cilat nisën punën për të zbardhjen rrethanat e ngjarjes. Aktualisht efektivët e policisë së bashku me FNSH-së po krehin zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Me tre plumba në trup, si kërkoi ndihmë Anton Keli në marketin e lagjes

Mësohet se viktima Anton Keli sapo ka hapur derën e automjetit të tij është qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur.

Me plumba në trup ai është drejtuar për në marketin e lagjes ku ka treguar që e kanë plagosur, por me të njoftuar dhe mbërritur ambulanca ai ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së tij.

Kush është Anton Keli?

Anton Keli është i afërm i Tonin Gjinit,  i njohur edhe me emrin Armando Gjini, i cili u ekzekutua më 12 Gusht 2019 në qytetin e Rrëshenit. Ngjarja ndodhi në mes të ditës kur Tonin Gjini po priste në makinë bashkëshorten e tij.

Një vit më vonë u tentua të vritet edhe vëllai i Tonin Gjinit. Preng Gjini mbeti i plagosur në një shpërthim të fuqishëm me tritol që tronditi Tiranën më 15 shtator 2020. Preng Gjinit i ishte vendosur një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive poshtë makinës.

Saga e vrasjeve

Vrasja e 51 vjeçarit Anton Keli, kushëri i Armando Gjinit dhe Preng Gjinit, vijon sagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë.

Në 4 vitet e fundit nga përplasja mes dy fiseve Gjini dhe Reçi janë ekzekutuar disa persona në Belgjikë, Romë dhe Shqipëri. Sajmir Jaku, Gasper Reçi, Kreshnik Gjini, Tonin Gjini dhe Kastriot Reçi janë viktimat e hakmarrjes së egër mes dy fiseve.

Reagon familja Reçi

Dyshimi i parë i policisë pas vrasjes së 51-vjeçarit Anton Keli mbrëmjen e sotme në Rrëshen është hakmarrja, nisur nga një sërë ngjarjesh me disa viktima mes familjes Gjini dhe familjes Reçi dhe lidhjes familjarë të Kelit me Armando e Prengë Gjinin.

Por në një mesazh për News24, avokati Aleksandër Ndrejaj, në emër të familjes Reçi deklaron se nuk ka asnjë lidhje me krimin e ndodhur sot.

Familja mohon kategorikisht implikimin me vrasjen e 51-vjeçarit dhe thotë se vrasjen e djalit të tyre Kastriotit ia kanë lënë në dorë prokurorisë dhe policisë.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot pasdite në Rrëshen, deklarojmë se familja Reçi nuk ka asnjë lidhje apo implikim me këtë ngjarje.

Në lidhje me fatkeqësitë tona familjare për ngjarjet që kanë ndodhur ne ia kemi lënë në dorë Prokurorisë dhe policisë për të gjetur autoret për vrasjen e Kastriotit.

Me këto veprime në media që po aludohen po fusin në konflikte të paqena familjen Reçi”, thuhet në mesazhin e Ndrejajt, përfaqësues i familjes Reçi në Rrëshen.

Familja Reçi ka humbur dy djem nga hakmarrja me familjen Gjini.

Vrasjet e ndodhura

Në vitin 2016 u ekzekutua Saimir Jaku, ish-drejtori i OSHEE. Deri më tani ngjarja ka mbetur pa autor, ndërsa në pyetje u mor një numër i madh personash.

Ndërkaq në Romë është ekzekutuar Gasper Reçi. Ai u qëllua me armë në hyrje të banesës së tij në Itali dhe në këtë rast dyshimet janë për vrasje me pagesë, por pa zbuluar autorët.

Pak muaj më pas, në shtator vritet në Belgjikë një tjetër qytetar i Rrëshenit, Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut. Ashtu si në tre vrasjet e tjera, edhe në Belgjikë nuk u bë e mundur gjetja e gjurmëve të ezekutorëve.

Saga e vrasjeve në qytezën veriore nuk u ndal këtu. Një ekzekutim mafioz ndodhi pak muaj më parë, në gusht të 2019, ku në prani të djalit të tij u vra Tonin Gjini, i njohur me emrin Armando. Atij i ishte vënë edhe më parë tritol në automjet por që u zbulua në kohë.

Në 7 janar 2020 u ekzekutua Kastriot Reçi. Me vrasjen me snajper të Kastriot Reçit në hyrje të lokalit të tij numri i ezekutimeve në qytetin verior me rreth 30 mijë banorë ka shkuar në pesë brenda tre vitesh.

Në 15 shtator 2020 iu bë atentat Preng Gjinit në afërsi të ish-Nesharakut në Tiranë, me tritol. Gjini mrekullisht shpëtoi. Ngjarja e pazbardhur.

Viktimat

9 Shtator 2016 vritet Sajmir Jaku

28 Prill 2017 vritet Gasper Reçi

6 Shtator 2017 vritet Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut)

12 Gusht të 2019 vritet Tonin Gjini

7 Janar 2020 vritet Kastriot Reçi

15 Dhjetor 2020 vritet Anton Keli-ende pa pistë konkrete dhe autorë

Artikulli i mëparshëmFshati ku do të lindë një bebe… pas 23 vitesh “thatësirë”
Artikulli i radhësMashtroi se kishte koronavirus, i shkaktoi kompanisë 100 mijë dollarë dëm