Demokracia përmban brenda vetes farat e rimëkëmbjes së saj. Një recesion demokratik global nuk duhet të vazhdojë përgjithmonë, shkruan The Economist
Me gjithë përpjekjet e Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të këtij muaji, demokracia amerikane dukej se nuk do ishte më e njëjta pas ditës së votimit. Sidoqoftë, më 23 nëntor, edhe teksa presidenti vazhdonte të dënonte pa pushim “zgjedhjet më të korruptuara në historinë amerikane”, ai ra dakord që qeveria federale t’i mundësonte Joe Biden burimet e nevojshme për t’u përgatitur për mandatin e ri.
Por zoti Trump e ka dëmtuar në njëfarë forme këtë demokraci, ashtu si edhe udhëheqësit republikanë që kanë ndjekur retorikën e tij. Duke pasur parasysh se katër në çdo pesë votues republikanë besojnë se votat janë “vjedhur”, besimi në drejtësinë e zgjedhjeve është tronditur rëndë dhe Biden është zhvlerësuar padrejtësisht që nga fillimi.
Tani e tutje, në votime me rezultate të ngushta, punët rutinë si numërimi dhe vërtetimi i votave, do të rrezikojnë të bëhen pjesë e një fushëbeteje. Ky nuk është një kërcënim për ekzistencën e republikës, por shënon një përkeqësim të mëtejshëm partiak të demokracisë amerikane.
Ai është gjithashtu pjesë e një recesioni demokratik global. Rënia e Bashkimit Sovjetik çoi në një lulëzim të numrit dhe cilësisë së demokracive liberale, por prirja tani është kthyer në drejtimin e kundërt. Hungaria dhe Polonia po bllokojnë buxhetin e Bashkimit Europian, sepse qeveritë e tyre nuk pranojnë të respektojnë shtetin ligjor.
Në Indi, e ashtuquajtura demokracia më e madhe në botë, Partia Bharatiya Janata (BJP) nën drejtimin e Narendra Modi, po vendos nën kontroll institucionet, duke përfshirë gjykatat, policinë dhe tani, mendohet se edhe Komisionin Zgjedhor. Njësia e Inteligjencës The Economist (EIU), organizata jonë motër, ka hartuar një indeks të demokracisë që nga viti 2006. Rezultati i vitit të kaluar ishte më i keqi në histori. Covid-19 e ka përshpejtuar rënien.
Nga po vjen kërcënimi?!
Kërcënimi nuk vjen nga grushtet e shtetit, por nga qeveritë në pushtet. Me kalimin e kohës, udhëheqësit e paskrupullt mund ta shfarosin demokracinë krejtësisht. Dy dekada më parë, Venezuela mbajti zgjedhje domethënëse; sot ajo është gati të eliminojë bërthamën e fundit të opozitës. Por edhe në shtetet ku një fatkeqësi e tillë është e paimagjinueshme, erozioni i normave dhe institucioneve çon në një qeverisje më të keqe. Për ta ndryshuar këtë, duhet të kuptoni se çfarë ka shkuar keq.
Pavarësisht nëse i mbështesni apo jo, Trump dhe populistët e tjerë, erdhën në pushtet si një përgjigje ndaj dështimeve të qeverive demokratike. Në vendet e pasura, votuesit e klasës punëtore u bindën se politikanët nuk donin t’ia dinin për ta, pasi standardet e tyre të jetesës kishin ngecur në vend, ndërkohë që politikanët shqetësoheshin për emigracionin.
Në Europën Qendrore dhe Lindore, qeveritë që kërkonin të bashkoheshin me BE-në, i kushtonin më shumë vëmendje Brukselit, sesa votuesve të tyre. Në vendet në zhvillim, korrupsioni dërgoi mesazhin se klasat sunduese ishin kryesisht të interesuara për llogaritë e tyre bankare.
Politikanët sipërmarrës iu përgjigjën këtyre ndjenjave duke ngritur identitetin shumë më lart se politika, në mënyrë që t’u tregonin votuesve se ankesat e tyre kanë rëndësi. Kryengritja ishte aq e madhe, saqë disa parti të vjetra pësuan humbje të rënda – në Francë, në vitin 2017, ata fituan vetëm një të katërtën e votave. Polonia kishte lulëzuar nën një qeveri centriste, por Partia Ligji dhe Drejtësia u tha votuesve se vlerat e tyre katolike po sulmoheshin nga Brukseli. Në Brazil, Jair Bolsonaro mbështeti përbuzjen e votuesve për klasën politike. Aq i madh ishte fokusi i zotit Trump në identitetin e bazës së votuesve të tij, saqë ai nuk propozoi asnjë program për mandatin e dytë.
Politika e identitetit, e nxitur nga rrjetet sociale, televizioni dhe radiot partiake, ka riangazhuar votuesit. Pjesëmarrja është komponenti i vetëm i indeksit të demokracisë EIU, që është përmirësuar që nga viti 2006. Zoti Biden dhe zoti Trump fituan të dy më shumë vota se çdo kandidat presidencial në histori. Por megjithëse ka zgjidhur një prej problemeve të demokracisë, politika e identitetit ka krijuar të tjerë.
Kjo për shkak se politika që përforcon identitetet e ngurta, nuk lejon tolerancën dhe durimin që i duhen një demokracie për të zgjidhur konfliktet shoqërore. Në debatet se kush fiton çfarë, njerëzit mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të ndihen të kënaqur. Por në debatet rreth identitetit, qoftë mbi fenë, racën dhe anti-elitizmin, kompromisi mund të duket si tradhti. Kur parimet morale janë në rrezik, pala tjetër nuk është thjesht e gabuar, ajo është e rrezikshme. Dhe nëse njëherë e një kohë, zgjedhjet nuk kishin ndonjë domethënie të madhe, tani ato kanë tepër rëndësi.
Dobësimi i institucioneve
Në disa shtete, udhëheqësit e shumicës e kanë shfrytëzuar këtë besnikëri të verbër për të dobësuar institucionet që duhet të mbajnë nën kontroll pushtetin e tyre. Për shembull, në Turqi, Rexhep Tajip Erdogan qeveris sikur fuqia demokratike të ishte absolute dhe i dënon ata që e bllokojnë atë, si armiq të republikës.
Në Meksikë, Andrés Manuel López Obrador shpërfill degët e tjera të qeverisjes, të cilat i akuzon se janë kapur peng nga elitat dhe u bën thirrje për mobilizim në referendume mbështetësve të tij. Në Indi, kur Komisioni Zgjedhor u tregua më i butë ndaj kandidatëve të BJP-së sesa ndaj kundërshtarëve të tyre, një nga tre komisionerët kryesorë kundërshtoi dhe më pas zbuloi se familja e tij po hetohej për evazion fiskal.
Institucionet e Amerikës mbrohen nga profesionalizmi i gjykatësve dhe zyrtarëve të tyre. Shumë prej tyre ndihen të lidhur me standardet e vendosura nga ata që kanë ardhur para tyre. Kur Trump u përpoq të përmbyste zgjedhjet, ai dështoi sepse shumica e njerëzve bënë detyrën e tyre.
Si rezultat, dëmi kryesor që politika e identitetit i bën Amerikës, vjen nga armiqësia dhe bllokimi. Politika mendohet se duhet të zgjidhë konfliktet e shoqërisë, por është pikërisht demokracia që po i krijon ato. Kjo për shkak se grupet e njerëzve jetojnë në universe krejt të ndryshme informacioni, ku fakte si mbajtja e maskave dhe ndryshimi i klimës, shndërrohen në debate rreth mënyrës së jetesës së njerëzve. Si rezultat, politika amerikane ka ngecur edhe një herë në vend. Ajo i ndez njerëzit aq shumë sa që pengon kompromiset e nevojshme që shoqëria të ecë përpara.
Vota për ndryshim
Disa paralajmërojnë se pakënaqësia që krijon kjo gjendje, do të shkaktojë vdekjen e demokracisë – diçka që armiqtë e saj madje e kanë planifikuar, me në krye Vladimir Putin. E megjithatë, ka shumë arsye për shpresë. Një nga pikat e forta të demokracisë është se ajo premton shumë shanse për një fillim të ri.
Për sa kohë që mbahen zgjedhje, ekziston gjithmonë mundësia e largimit të matrapazëve, edhe në vendet ku qeveritë përpiqen të ndërhyjnë te votat. Në disa qytete të Hungarisë dhe Polonisë, votuesit kanë nisurr të refuzojnë shtypjen dhe korrupsionin. Në zgjedhjet e vjetshme të BE-së, populistët dolën më keq sesa pritej. Ndoshta lavjerrësi ka filluar të lëkundet. India është shumë e gjerë dhe e larmishme për t’u sunduar nga një parti e vetme.
Demokracia gjithashtu përshtatet. Në zgjedhjet e Amerikës, republikanët morën më tepër vota nga hispanikët dhe afro-amerikanët se në zgjedhjet e kaluara; dhe në Britani, vitin e kaluar, Partia Konservatore qeverisëse fitoi disa vende të Partisë Laburiste në Midlands. Të dyja këto shtete kanë nevojë për një përzierje të tillë, sepse i nxit partitë në të majtë dhe të djathtë të dalin nga lidhjet e tyre grupore dhe të anojnë ekuilibrin e përpjekjeve politike larg identitetit dhe më pranë dhënies së rezultateve.
Për mirë apo për keq, demokracia gjithashtu ndikohet nga fati i superfuqisë që është më e lidhur me të. Amerika e mbështet demokracinë pjesërisht përmes shembullit dhe avokimit. Brenda vendit, zoti Biden do të përpiqet të rivendosë norma si pavarësia e Departamentit të Drejtësisë. Jashtë vendit, ai nuk do të kënaqë autokratë dhe tiranë siç ka bërë zoti Trump. Dhe Amerika mund ta forcojë demokracinë nëpërmjet politikës së pushtetit. Nëse zoti Biden dëshiron të krijojë një aleancë për të ndihmuar Amerikën të ecë përpara në garën kundër Kinës për dominimin e teknologjisë, demokracia do të ndihmojë në përcaktimin e saj.
Mbi të gjitha, demokracia është diçka për të cilën njerëzit janë të gatshëm të luftojnë. Çdo fundjavë, bjellorusët rrezikojnë lirinë dhe jetën, duke protestuar në rrugë për të sfiduar diktatorin, i cili u refuzon të drejtën për të zgjedhur se kush duhet t’i qeverisë, ashtu si qytetarët e Hong Kongut, Sudanit dhe Tajlandës. Ky është një frymëzim që duhet t’i shoqërojë të gjithë votuesit, kudo që ndodhen, sa herë që i drejtohen qendrës së votimit.
Rreziqet dhe shpresa
Disa paralajmërojnë se pakënaqësia që krijon kjo gjendje, do të shkaktojë vdekjen e demokracisë – diçka që armiqtë e saj madje e kanë planifikuar, me në krye Vladimir Putin. E megjithatë, ka shumë arsye për shpresë. Një nga pikat e forta të demokracisë është se ajo premton shumë shanse për një fillim të ri.