Investimet e huaja direkte për vitin 2020 janë në rënie për shumicën e sektorëve që kanë dominuar në vitet e fundit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rënia është më e theksuar sidomos te industria nxjerrëse, ndërsa paraqitet më e kufizuar te energjetika dhe tek shërbimet bankare e financiare.
Investimet në industrinë nxjerrëse në tremujorin e tretë ishin vetëm 26 milionë euro, në rënie me 62% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Edhe bilanci i 9-mujorit paraqitet negative, me një rënie të investimeve totale me 42%. Investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse lidhen në pjesën dërrmuese me aktivitetin e kompanive të nxjerrjes së naftës bruto, sidomos Bankers Petroleum. Duket se sektori këtë vit ka vuajtur pasojat e rënies së çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, që me sa duket ka ngadalësuar investimet e reja.
Sektori I energjisë dominoi investimet e huaja edhe për tremujorin e tretë, me një shumë totale prej 68 milionë eurosh, në rritje me tre milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, edhe në rastin e energjetikës bilanci vjetor është negative, me investime totale në vlerën e 229 milionë eurove, 14% më pak krahasuar me 9-mujorin 2019. Investimet në energjetikë në vitet e fundit kanë qenë të përqendruara tek gazsjellësi TAP, por edhe tek shumë projekte të investimeve në energjinë e rinovueshme hidrike, ndër të cilët më të mëdhenjtë kanë qenë ata në kaskadën e lumit Devoll nga norvegjezët e Statkraft (Devoll Hydropower) dhe në lumin Fan nga kompania turke Ayen Energy.
Sektori financiar vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të investimeve të huaja dhe në tremujorin e tretë solli 28 milionë euro investime, 18% më pak krahasuar me tremujorin e tretë 2019. Për 9-mujorin, investimet në këtë sektor kishin vlerën e 88 milionë eurove, në rënie të lehtë me 3.3% krahasuar me një vit më parë. Investimet në sektorin financiar lidhen sidomos me sektorin bankar dhe rritjen periodike të kapitaleve të injektuara nga investitorët e huaj, në funksion të rritjes së institucioneve financiare, por edhe të kërkesave rregullatore për kapital. Këtë vit, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë pezulluar shpërndarjen e dividendëve dhe një pjesë e fitimeve të akumuluara mund të jenë kapitalizuar nga kompanitë e këtyre sektorëve.
Mes sektorëve të tjerë, rritje për këtë vit ka regjistruar është industria përpunuese, ku investimet e reja arritën në 41 milionë euro, nga 33 milionë euro për 9-mujorin 2019. Për t’u përmendur një kthim në rritje i investimeve në sektorin e telekomunikacioneve, që janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë dhe kanë prekur shumën e 36 milionë eurove. Rënia e fitimeve në tregjet e komunikimeve të lëvizshme në vitet e fundit I kishte ulur ndjeshëm investimet në këtë sektor. Viti 2020 ka sjellë një gjallërim të lehtë, por sërish ky sektor nuk renditet më mes degëve me peshë shumë të madhe në investimet e huaja.
Në rritje paraqiten investimet edhe në degët e shërbimeve të lidhura me aktivitetet profesionale, teknike dhe shërbimet mbështetëse, që përgjithësisht mbizotërohen nga shërbimet e llojit call center.
Në rënie të ndjeshme për 9-mujorin 2020 paraqiten investimet në ndërtim dhe sektorin e pasurive të paluajtshme, çka duket në kontrast me ecurinë mjaft dinamike të këtyre sektorëve ekonomikë edhe në kushtet e krizës. Megjithatë, këta sektorë në përgjithësi dominohen nga investitorët vendas.
Për 9-mujorin 2020, Shqipëria thithi në total 691 milionë euro investime të huaja, në rënie me 13.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bursa për datën 23 Dhjetor 2020 u mbyll si më poshtë:
Vlerat janë të shprehura në $/mt
Produkti | Çmimi ditor ( $/mt ) | Ndryshimi ditor +/- ( $/mt ) |
BENZINA | 449.50 | + 11.25 |
DIESEL | 428.00 | + 10.00 |
©aktualitet.al