Këngëtari i njohur italian, Adriano Celentano, ka treguar se ësyhtë mbyllur në shtëpi prej një viti me bashkëshorten, Claudia Mori, që nga shpërthimi i pandemisë.
“Claudia dhe unë jemi mbyllur praktikisht prej 1 viti në shtëpi dhe dje na sollën rrobat e burgut”, u shpreh këngëtari italian në një lidhje telefonike në emisionin “Domenica In”.
Legjenda e muzikës italiane pohoi për prezantuesen e njohur, Mara Venier, se nuk ka bërë kurrë vaksina në jetën e tij. Por me sa duket, edhe kjo situatë është bërë tepër e lodhshme për të, dhe kërkon t`i rikthehet sa më parë normalitetit. Për këtë arsye, siç pohoi dhe vetë, ka pranuar që të vaksinohet së bashku me të shoqen.
“Unë nuk kam bërë kurrë vaksina, po pranoj që ta bëj tani”, u shpreh këngëtari italian.
Italia ka qenë një nga vendet më të prekur nga Covid-19, sidomos gjatë valës së parë të tij. Ditën e djeshme u raportuan 347 vdekje të reja nga koronavirusi, një rënie e lehtë krahasuar me një ditë më parë, ndërsa infektimet u rritën. Italia ka bilancin më të lartë të vdekjeve në Europë nga Covid 19 dhe të pestin në botë. Vala e dytë e pandemisë në vend mori hov sidomos në gjysmën e parë të nëntorit, ku pati rritje te beftë të shtrimeve në spital e nisën të rimbushen edhe repartet e terapisë intensive.