Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u tha sot në një takim disa gjimnazistëve të shqetësuar nga problemet e krijuara nga keqqeverisja si edhe nga pandemia, se planin që opozita ia paraqiti qeverisë për sigurinë në shkolla dhe që nuk u mor në konsideratë prej saj, është gati që ta zbatojë që nga dita e parë në qeverisje.
“E vetmja gjë, e vetmja diferencë midis situatës ku jemi sot dhe situatës që mund të kishim, – tha Basha, – në qoftë se do të ishin marrë këto masa, është një qeveri e përgjegjshme. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën.
Mjafton që të financonim këto hapa që ju përmenda, mjafton që të merrnin masat për higjenën minimale në shkolla, mjafton që jo në 7 vite por edhe brenda 1 viti e gjysmë, 2 vitesh në qoftë se qeveria ka vullne, uji i rrjedhshëm në çdo shkollë duhet të jetë realitet edhe në shkollat më të largëta të vendit dhe mbi të gjitha duhet me çdo kusht që nxënësit, mësuesit, prindërit të kenë mundësinë të planifikojnë pak më përpara.
Për këtë duhet që i pari i shtëpisë, i pari i shtetit, qeveria, kryeministri ta bëjë këtë plan përpara.
Njëherë tërmeti, tani pandemia një gjeneratë e tërë që po humb një vit shkollor, është e paprecedentë dhe kjo sjell pasoja të mëdha. Këto janë problemet.
Ne sigurisht atë plan që i vumë në dispozicion qeverisë, jemi të gatshëm ta nisim ta zbatojmë prej ditës sonë te parë të marrjes së përgjegjësive të qeverisjes së vendit. Është plotësisht e përballueshme në qoftë se prioriteti jeni ju dhe për mua ju jeni prioriteti.
Ju te dhjetë këtu dhe jo 10 oligarkët dhe qindra e mijëra të tjerë si ju, të jeni të sigurt që do të marrim të gjitha masat që të paktën standardet që sigurojnë vendet e tjera të rajonit për sa i përket arsimit parauniversitar, por edhe atij universitar, t’u garantohen edhe të rejave edhe të rinjve shqiptarë.”