Mediat gjermane kryqëzojnë kancelaren Angela Merkel për vonesat në furnizimin me vaksina. Sipas gazetës më të madhe gjermane, BILD, Merkel është fajtore për dështimin spektakolar me vaksinat.
Deri në fund të janarit, Gjermania mund të vaksinojë vetëm 2 milionë banorë, shkruan gazeta, duke e quajtur një dështim.
Por përse akuzohet Merkel?
Gazeta shkruan se ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn lidhi një aleancë me Francën, Italinë dhe Holandën për sigurimin e vaksinave. Më 13 qershor ata nënshkruan një marrëveshje për kompaninë AstraZeneca për 400 milionë doza.
Në këtë pikë ndërhyn kancelarja Merkel, e cila i heq kompetencat ministrit dhe vendos që për këtë çështje, mandatin ta ketë Komisioni Europian.
Ndërsa SHBA dhe Britania vazhdonin të nënshkruanin marrëveshje vaksinimi njëra pas tjetrës në korrik dhe gusht, KE nuk ndërmerrte asnjë hap. Edhe pse ishte premtuar se do jepeshin 2.7 miliardë euro për vaksinën e Biontech, në arkën e KE-së nuk kishte asgjë.
Vetëm më 11 nëntor, KE lidhi një marrëveshje me Biontech. Shefi gjerman i kësaj kompanie, Ugur Sahin tha se ka mbetur i habitur se sa shumë hezistoi BE për të porositur dozat.
Edhe në këtë rast, dozat do vijnë gradualisht, jo menjëherë.