Aktori i mirënjohur nga të gjithë Rowan Atkinson, i cili ka ‘gdhendur’ emrin e tij në histori me rolin e Mr. Bean, ka deklaruar së fundmi se ai rol është ‘stresues dhe raskapitës’, duke lënë të kuptohet se nuk do t’i rikthehet më kurrë. Aktori 65-vjeçar është në mes të zhvillimit të një filmi të animuar të karakterit popullor, por duket se nuk i pëlqen shumë ta luajë.
“Nuk më pëlqen shumë ta luaj. Pesha e përgjegjësisë nuk është e këndshme. Më duket stresuese dhe raskapitëse dhe pres me padurim fundin e saj. Duke bërë një serial televiziv të animuar, tani jemi në prag të krijimit të një filmi të animuar për Mr Bean, është më e lehtë për mua të interpretoj karakterin me zë sesa vizualisht.Suksesi i Mr. Bean nuk më ka befasuar kurrë. Të shikosh një të rritur që sillet në mënyrë fëminore pa qenë i vetëdijshëm është thelbësisht qesharake. Fakti që komedia është më shumë vizuale sesa verbale do të thotë se ka qenë e suksesshme edhe ndërkombëtarisht”, tha ai.