Pas fillimit të operacioneve komerciale në 15 nëntor 2020, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) AG konfirmoi të enjten fillimin e transportit të gazit nga Azerbajxhani. Sasia e parë e gazit mbërriti në Greqi dhe Bullgari, përmes pikës së interkonjeksionit të Nea Mesimvrias me DESFA-n, si edhe në Itali, përmes pikës së interkonjeksionit të Melendunjos me SNAM Rete Gas (SRG).
“Sot është një ditë historike për projektin tonë, po ashtu edhe për vendet tona pritëse e tregun energjetik të Europës. TAP-i është një pjesë thelbësore e rrjetit të gazit në kontinent, duke kontribuar në hartën e transportit të energjisë. Ne ofrojmë një linjë transporti të sigurtë, direkte dhe me kosto të ulët në vendet e Evropës Juglindore e më gjerë.”
“Fillimi i shpërndarjes së gazit është një moment historik për tregun e gazit në Europë. Teksa presim me padurim t’iu shërbejmë transportuesve të gazit në muajt e vitet që do të vijnë, presim me padurim të fillojmë gjithashtu fazën e dytë të testimit të tregut në verë, çka do të mundësojë zgjerimin e TAP-it në të ardhmen, duke dyfishuar kapacitetin e gazsjellësit.”
Si një linjë e re e importit të gazit, Korridori Jugor i Gazit përforcon sigurinë e sektorit energjetik të Europës, integrimin e tregut të saj, si edhe përpjekjet e BE-së për dekarbonizim. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Denizit në Azerbajxhan pranë detit Kaspik, për në Europë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore. TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Europës Juglindore përmes interkonektorëve të shumtë.