Ditët kur merrje valixhen, niseshe për aeroport, tregoje një pasaportë dhe i hipje aeroplanit për të shkuar diku, tani për tani, janë një kujtim i largët.
Pandemia e Covid-19 ka transformuar peizazhin e udhëtimit, potencialisht për dekadat e ardhshme.
Vendet në të gjithë botën po hyjnë në bllokime të reja, por edhe kur kufizimet të hiqen, ka të ngjarë që vaksinimi i detyrueshëm para udhëtimit ajror së shpejti të jetë një domosdoshmëri.
Indeksi i Pasaportave Henley (renditja e plotë), i cili mat periodikisht pasaportat më miqësore në botë për udhëtimet, ka publikuar raportin e tij të fundit.
Japonia është në krye të listës
Qytetarët aziatikë vazhdojnë të kenë dokumentet më të fuqishme të udhëtimit në botë.
Indeksi nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme, kështu që Japonia është edhe një herë në krye të tabelës kryesuese, duke ofruar lëvizje pa viza në 191 destinacione në të gjithë botën.
Singapori është në vendin e dytë (me 190 destinacione) dhe Koreja e Jugut qëndron me Gjermaninë në vendin e tretë (me rezultatin 189). Zelanda e Re qëndron në vendin e shtatë me 185 destinacione, ndërsa Australia në vendin e tetë (184).
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Europian tradicionalisht kryesojnë, por, raporton Henley & Partners në publikimin e saj, se “ekspertët sugjerojnë që pozicioni i forcës së rajonit do të vazhdojë pasi përfshin disa nga vendet e para që fillojnë procesin e rikuperimit nga pandemia”.
Numri i rasteve të koronavirusit aktualisht po rritet me shpejtësi si në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani, e cila tashmë është qendra e një varianti të ri të virusit që po përhapet me shpejtësi.
Kufizimet e përkohshme të udhëtimit në lidhje me këtë nënkuptojnë se, ndërsa Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në vendin e shtatë, realiteti është se mbajtësit e pasaportave amerikane aktualisht janë në gjendje të udhëtojnë në më pak se 75 destinacione, ndërsa mbajtësit e pasaportave angleze kanë qasje në më pak se 70.
Emiratet e Bashkuara Arabe, të pandalshme
Kishte relativisht pak marrëveshje të profilit të lartë të vizave midis vendeve gjatë vitit 2020, me Emiratet e Bashkuara Arabe që janë një përjashtim i dukshëm, thotë Henley & Partners. Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan disa marrëveshje reciprokisht të heqjes së vizave vitin e kaluar, duke përfshirë një marrëveshje historike të ndërmjetësuar nga SHBA, që krijoi lidhje zyrtare me Izraelin dhe duke u dhënë qytetarëve të secilit vend hyrje pa viza në tjetrin. Emiratet e Bashkuara Arabe mbajnë vendin e 16-të në renditje, me qasje pa viza në 173 destinacione.
Ku pozicionohet Shqipëria?
Shqipëria renditet në vendin e 52 me 114 destinacione. Ajo vjen pas vendeve të rajonit, Serbisë në vendin e 38, dhe Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, të cilat renditet në vendin e 45 (me 124 destiancione). Ndërsa lë pas Kosovën, në vendin e 102 (40 destinacione).
Pasaportat më të fuqishme në 2021 janë:
- Japonia (191 destinacione)
- Singapori (190)
- Koreja e Jugut, Gjermania (189)
- Italia, Finlanda, Spanja, Luksemburgu (188)
- Danimarka, Austria (187)
- Suedia, Franca, Portugalia, Holanda, Irlanda (186)
- Zvicra, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Belgjika, Zelanda e Re (185)
- Greqia, Malta, Republika Çeke, Australia (184)
- Kanadaja (183)
- Hungaria (181)
Pasaportat më të dobëta
- Koreja e Veriut (39 destinacione)
- Libia, Nepali (38)
- Territoret palestineze (37)
- Somalia, Jemeni (33)
- Pakistani (32)
- Siria (29)
- Iraku (28)
- Afganistani (26)
Indeksi i Pasaportave Henley bazohet në të dhënat e siguruara nga Autoriteti Ndërkombëtar i Transportit Ajror (IATA) dhe mbulon 199 pasaporta dhe 227 destinacione./CNN