Arrestimi i Branislav Miçunoviçit, ka bërë bujë jo vetëm në mediat e Malit të Zi por të të gjithë rajonit.
68 vjeçari nga Nikshiqi është një nga të fortët më legjendarë të rajonit, jo thjesht se është pronar i diskos së famshme “Trocadero” në Budva, por ngaqë e gjithë jeta e tij është e mbushur me bëma speciale.
Konsiderohet si njeriu që ka sjellë dhe ka mbajtur në pushtet Milo Gjukanoviçin, armiku më i madh i serbëve, e në veçanti i Vojislav Sheshelit, të cilin e zboi me “shpulla” nga qyteti i Nikshiqit në vitin 1992.
Është arrestuar dy ditë më parë nga një operacion sekret në Budva, ku është thënë se i janë sekuestruar edhe dy pistoleta, por që avokati i tij e quan makinacion.
I burgosur në vitet 90 në kohën e Jugosllavisë për një vrasje në Nikshiq, Brano u shpall i pafajshëm e u lirua. Ai është përfolur edhe për vrasjen e një drejtuesi të kompanisë së fuqishme jugosllave INA në vitin 1982 në Gjermani, por pa pasur asnjë provë.
E megjithatë, ngjarja që i rriti më shumë famën, ishte një vrasje e ndodhur në mes të Podgoricës, pikërisht në kazinon e hotelit me të njëjtin emër e që sot quhet Hilton.
Për disa, Brano Miçunoviç është “krenaria e Malit të Zi”, siç dëshmohet nga faqja në Facebook, e cila mban këtë emër, ndërsa për të tjerët ai është një kriminel dhe “pronari i shteti të vogël” të ish-Jugosllavisë, pa miratimin e të cilit nuk mund të përfundojë asnjë punë serioze në zonën gri.
Gjegjësisht, në Mal të Zi ekziston një shprehje “nuk ka mbret, nuk ka Tito, tani pyetet vetëm Brano”.
Ai lindi në 1953 në Nikshiq, dhe në rininë e tij ai u morr me boks dhe ishte anëtar i brigadës elitare 63 tëparashutisteve të ish-JNA(ushtria jugosllave).
Ai studioi ekonomi në Novi Sad, por nuk qëndroi gjatë në fakultet, as në vend. Emri i tij lidhet së pari me një krim kur Stjepan Gjurekoviç, ish-drejtori i marketingut i INA, u vra në Gjermani në 1983. Megjithëse ka pasur spekulime, asnjëherë nuk është provuar që Miçunoviç qëndron pas likuidimit.
Megjithatë, karta penale e tij është “akullore”. Ai i kaloi vitet e fundit të shekullit të 20-të në burgun e Shpuzës, sepse ishte i dyshuar për një vrasje që ndodhi në rrethana të dyshimta. U shpall i pafajshëm së bashku me shokun e tij Zdravko Lopusin për akuzën në tetor 2000, para Qendrës Klinike të Podgoricës, ai vrau Radovan Kovaçeviç nga Niksiç, i cili u plagos rëndë në të shtënat e mëparshme në të cilën u vra Petko Pesukiç nga Cetinja.
Miçunoviç ishte pronar i një kazinoje në hotelin “Podgorica”, ku shpërtheu një grindje e përgjakshme. Ai u akuzua për vrasjen e Kovaçeviçit të plagosur me një pistoletë para Qendrës Klinike në Podgoricë, fiks si skenat e viteve 30 në përplasjet e gangsterëve mafiozë në SHBA. Aty e mori dhe “titullin” “Al Kapone”.
Micunoviç, zyrtarisht, nuk i përkiste ndonjë partie malazeze, por kjo nuk do të thotë se ai ishte politikisht pasiv.
Në vjeshtën e vitit 1992, atij nuk i pëlqente idea që Vojislav Sheselj të mbante një tubim partie në Nikshiq, kështu që ai e priti atë në hyrje të qytetit. Mitingu i Radikalëve nuk u mbajt.
Dhjetë vjet më vonë, në 2002, Sheshelj e akuzoi atë për përfshirje në krim dhe vrasjen e Goran Zugiç, këshilltar i sigurisë i presidentit malazez. Sheshelj pastaj tha se Miçunoviç ishte aq i fuqishëm sa që ai ishte “presidenti i vërtetë i Malit të Zi” i cili “mban në dorë” vetë Milo Gjukanoviçin.
Megjithëse ai kurrë nuk ishte zyrtarisht i angazhuar politikisht, pretendohet se ai e ndihmoi Milo Gjukanoviç të fitojë zgjedhjet që nga viti 1996, megjithëse kjo nuk është provuar kurrë.
Kurdoherë që Gjukanoviç kishte nevojë për të, Micunovic ishte aty për të, qoftë për mbrojtje apo ndihmë, për të arritur fitoren ndaj kundërshtarëve politikë.
Përveç se ishte pronar i Klubit të Futbollit Sutjeska, ai ishte zyrtarisht i angazhuar në pasuri të patundshme dhe hotelieri. Ai kishte klube dhe kazino të shumta në bregdet, duke përfshirë diskotekën më të madhe në Ballkan -“Trocadero” në Budva.