Ndërsa qeveritë në të gjithë botën kanë shprehur zemërim dhe trishtim rreth trazirave që përfshinë ndërtesën e Kongresit amerikan të mërkurën, Rusia pati një reagim tjetër – të dyzuar mes shfajësimit dhe dyshimit.
“Festa e demokracisë ka përfunduar”, tha Konstantin Kosachev, kreu i komitetit të punëve të jashtme në Këshillin e Federatës Ruse, në një postim në Facebook në të cilin argumentoi – për të disatën herë – kundër vendosjes së Amerikës si modeli i demokracive globale.
“Amerika nuk e ndjek më atë rrugë dhe si pasojë ka humbur të drejtën për ta përcaktuar atë. Aq më tepër t’i detyrojë të tjerët për këtë”, tha ai.
Kosachev argumenton se përçarjet në shoqërinë amerikane janë aq të thella saqë as republikanët dhe as demokratët nuk do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve pa kundërshti. Ministria e jashtme e Rusisë gjithashtu u përqëndrua të enjten në ndarjen e elektoratit amerikan, ndërsa nxorri në pah përsëri kritikat e SHBA-ve ndaj zgjedhjeve të Rusisë në të kaluarën.
“Është një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Maria Zakharova në komentet e saj për gazetarët.“Por përsëri, do të theksonim se sistemi zgjedhor amerikan është arkaik dhe nuk plotëson standardet moderne demokratike, krijon mundësinë për shkelje të ndryshme dhe media amerikane është bërë një instrument i konflikteve politike.”
Në mbulimin e saj, media shtetërore ruse promovoi deklaratat e Presidentit Donald Trump, për manipulimin e zgjedhjeve nga mijëra votues të dyshuar të “vdekur”, të cilat janë diskredituar në mënyrë të përsëritur.
Në përgjithësi, shtypi rus gjithashtu ka mbështetur pretendimet e presidentit Trump për një “komplot të thellë shtetëror” që synon të pengojë përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën pas akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.
Megjithatë, komentatorët përshëndetën zhvillimet e fundit në Uashington duke bërë krahasime mes përgjigjes amerikane ndaj kryengritjeve demokratike në ish republikat sovjetike fqinje si Bjellorusia dhe Ukraina, ku, siç argumenton Kremlini, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të përmbysin qeveritë miqësore me Moskën duke mbështetur protestuesit.
Ndërkohë, udhëheqësi rus i opozitës Alexei Navalny, aktualisht në Gjermani pas një përpjekje të dështuar helmimi nga një agjent nervor i shkallës ushtarake në Siberi në gusht, u ofroi një kujtesë mbështetësve të Kremlinit që po shijojnë problemet e fundit politike të Amerikës.
“Putinistët festojnë konfliktin në SHBA dhe lavdërojnë ‘stabilitetin e Putinit’. Ata kanë probleme, shumë prej tyre” tha Navalny përmes Twitter-it. “E vetmja gjë është se SHBA-të ende kanë një pagë mesatare mujore prej 306,000 rublash. Në Federatën Ruse ajo është 40,000, dhe në realitet, ndoshta 30,000 “.
Zëra më liberalë rusë komentuan gjithashtu nëse drama politike e kësaj jave në Uashington do të kishin ndodhur në Moskë. Të imagjinosh që Kremlini të sprapset nga parlamenti dhe gjykatat “do të ishte një përrallë Krishtlindjesh”, tha politikani liberal Dmitry Gudkov në Facebook. “Ne nuk kemi qendra alternative të pushtetit.”
Ngjarjet në Uashington ndodhën në festën e Krishtlindjeve Ortodokse Ruse, duke nxitur sugjerime në vend dhe në Shtetet e Bashkuara se kaosi ishte një dhuratë e papritur për Presidentin rus Vladimir Putin.
Një meme popullore tregoi fytyrën e qeshur të liderit rus të vendosur mbi atë të një demonstruesi duke ngritur një podium nga ndërtesa e Kapitolit. Por Putini nuk la të kuptohej nëse ishte i kënaqur. Ai nuk i përmendi asnjëherë traziratgjatë një deklarate të shkurtër për festat e Krishtlindjeve.
“Kjo festë e mrekullueshme ndriçon botën me një dritë dashurie dhe mirësie, u jep gëzim dhe shpresë miliona njerëzve dhe i orienton ata drejt vlerave shpirtërore të përjetshme,” tha ai në një deklaratë të publikuar nga Kremlini, duke uruar Krishtlindje të gëzuara për të gjithë.